Kovaçevski: Kuvendi nuk është “super market”! Mickoski i interesuar vetëm për opozitën shqiptare

TË FUNDIT

Edhe përskaj bllokadës që po e bën VMRO-DPMNE-ja, kryeministri Dimtar Kovaçevski, thotë se Kuvendi po funksionon duke përmendur miratimin e rendit të ditës në seancën plenare dhe nisjen e debatit për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues. I pari i qeverisë edhe njëherë  përsëriti se është joserioze të bojkotohet Kuvendi në kushte të krizës më të madhe energjetike botërore. U bëri thirrje deputetëve të jenë të përgjegjshëm.

 “Nuk ekzistojnë ligje të cilat nuk ndikojnë në proceset shoqërore në kuptimin pozitiv dhe nuk mundet Kuvendi të konsiderohet si supermarket ku dikush do të vendosë se cili ligj do të kalojë, ndërsa cili nuk do të kalojë për arsye se çdo zgjidhje ligjore përmban në vete ose përparimin e proceseve, ose përparimin e të drejtave të qytetarëve ose kompanive”- deklaroi Dimitar Kovaçevski.

Po edhe krahas apeleve të pushtetit për reflektim, opozitarja VMRO-DPMNE nuk e ka ndërmend të lëshojë pe. Kreu i saj, Hristijan Mickoski, sot paralajmëroi se do të ketë hapa të tjerë.

 “Të hënën kemi seancë të Komitetit Ekzekutiv, do të hapim diskutim edhe për hapin e dytë e të tretë. Kjo është strategji që do të zgjasë gjatë. Ky nuk do të jetë “aksion instant” që do të përfundojë sot a nesër. Kjo është strategji që do të zgjasë. Nuk pres që këta njerëz kot e kot do ta lëshojnë kolltukun të cilin e mbajnë fort”- pohoi Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Kërkesa e VMRO-DOMNE-së mbeten zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e deri sa nuk ia arrijnë këtij qëllimi, do ta bllokojnë në Kuvend çdo gjë që, sipas tyre, nuk është në interes të qytetarëve. Mickoski thotë se do të punojnë që zgjedhje të ketë këtë vit! Tha se opsioni i VMRO-DPMNE-së për të bashkëpunimin e ardhshëm janë partitë opozitare shqiptare, ndërsa përmendi edhe heqjen e bandenterit dhe balancuesit që, siç tha, të mund të zbatohen reformat.

“Të mund që shtetin ta drejtojnë ata që i ka zgjedhur populli. Nëse populli ka zgjedhur VMRO-DPMNE-në me 61 deputetë, shtetin ta drejtoj VRMO-DPMNE-ja dhe koalicioni që do ta formojë, por për shkak të atij kushti të badenterit do të duhet ta adaptojmë atë koalicion andaj jam i bindur se partitë, kushtimisht thënë, opozitare shqiptare, në zgjedhjet e ardhme parlamentare do ta mposhtin BDI-në, mendoj se është koha që BDI të kalojë një kohë në opozitë”- tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE

I pyetur për ngjarjen e fundit në Kuvend, ku në audio dëgjohet se si dikush bërtet dhe shan punonjësit, Mickoski tha se “turpërohet se e njeh Xhaferin”, ndërsa shtoi se çuditet se pse Kovaçevski mbyll sy e veshë për ngjarjen.