Tani për tani mbetet e paqartë strategjia përmes së cilës Qeveria do të përpiqet ta sigurojë shumicën prej 2/3-tave për votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk planifikon të thërrasë takim të ri liderësh në të cilin do të diskutohej kjo çështje, por megjithatë thotë se nuk e përjashton këtë mundësi. Maqedonia ka afat deri në nëntor të këtij viti që t’i sjellë ndryshimet, e duke pasur parasysh se vetë procesi i ndryshimeve zgjat rreth 6 muaj, duket se periudha me të cilën disponon Kovaçevski për të arritur konsensus politik me partitë, është e shkurtër. A ka ndonjë strategji se si do t’i sigurojë 2/3-tat në Parlament?
“Deri në nëntor janë edhe 10 muaj dhe aspak nuk mendoj se kjo është periudhë e shkurtër, për 10 muaj mund të bëhen shumë punë pozitive. Gjithsesi çdo kush duhet të jetë përgjegjës dhe të jetë në nivel të detyrës dhe të obligimeve që i ka ndaj qytetarëve. Unë nuk jam njeri i cili ka ardhur në pozitë që të bindë dikë por për ta zbatuar strategjinë dhe qëllimet që i ka vendosur shteti para 31 viteve”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski shtoi se forcat politike që nuk e përkrahën anëtarësinë në NATO, tani nuk e përkrahin rrugën europiane, megjithatë është i bindur se ka forca të mjaftueshme politike me orientim europian, me shumë gjasa, duke pritur se për ndryshimet kushtetuese do të votojnë deputetë të opozitës. Por, edhe shefi i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski shpresat i ka te votat e LSDM-së dhe BDI-së, por ky për shpërbërje të qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Pohon se shumicë për ndryshimet kushtetuese nuk do të ketë, por do të ketë për ndryshimin e pushtetit.
“Nuk duhet të prisni se ky qëndrim do të ndryshohet, do të ndryshohet ky parlament, nuk ka mandat që ta ndryshojë Kushtetutën për shkak se opozita as nuk ka marrë pjesë në krijimin e asaj marrëveshjeje e as është pajtuar me këtë marrëveshje. Unë nuk besoj se do ta mbajnë shumicën për përkrahjen e kësaj qeverie, ndërsa për ndryshimet kushtetuese nuk do të kenë shumicë. Do të duhet të presim disa muaj që këta deputetë që vijnë nga grupi i deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së të përkrahin shpërbërje të Kuvendit dhe ndryshim të Qeverisë”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMN-së.
Për arritjen e konsensus politik, ditë më parë foli edhe ministri i jashtëm Bujar Osmani i cili paralajmëroi debat të gjerë politik ku do të marrin pjesë të gjithë faktorët politikë me qëllim që të arrihet marrëveshje e përbashkët për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por tani për tani ende nuk është caktuar një takim të tillë.
