Kovaçevski i bindur në fitore, VMRO shpalosë platformën 1198

TË FUNDIT

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, duke prezantuar planin e tyre për të ardhme europiane të vendit, prezantoi edhe listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Si bartës liste në njësinë e parë zgjedhore nga radhët e LSDM-së do të jetë Dimitar Kovaçevski, në zonën dy Oliver Spasovski, në zonën tre Sanja Llukarevska, në zonën katër Venko Filipçe, në zonën pesë Jovan Mitrevski dhe në zonën gjashtë Sllavjanka Petrovska. Në njësinë e dytë zgjedhore i dyti në listë do të jetë Fatmir Bytyqi ndërsa në zonën gjashtë i dyti në listë do të jetë i riu nga Zhelina, Agron Demiri.

“Bartës i listës së LSDM-së dhe koalicionit në NJZ1, do të jem unë ndërsa e dyta është kolegja ime, kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova. Në NJZ2 bartës është Oliver Spasovski ndërsa i dyti nënkryetari Fatmir Bytyqi. Në NJZ3 bartës do të jetë zv.kryetarja Sanja Llukarevska dhe Ljupço Nikollovski. Në NJZ4 është Venko Filipçe dhe Jovanka Trençevska. Në NJZ5 kryetari i Kuvendit Jovan Mitrevski dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska. Derisa në NJZ6 listën e udhëheqë kolegja ime nga Qeveria dhe kryetarja e kryesisë qendrore Sllavjanka Petrovska, së bashku me Agron Demirin”, është shprehur Kovaçevski.

Siç potencoi Kovaçevski, këta njerëz do t’i përfaqësojnë interesat e popullit, do të punojnë në zhvillimin e shtetit dhe anëtarësimin e vendit në BE.

Platformën me të cilën do të kërkojë besimin e popullit, e prezantoi sot edhe VMRO-DPMNE. Ata kanë paraparë gjithsej 1198 projekte dhe për këtë qëllim, platformën e kanë emëruar “Platforma 1198”.

“Jemi këtu për të promovuar programin zgjedhor, “Platforma 1198”. Njerëzit në rend të parë, ndriçues i shpresës në mes të sfidave me të cilat përballemi. Dhe të mos flasim fjalë boshe, Maqedonia sot qëndron në udhëkryq, me çështje kritike në ekonominë tonë, sistemin arsimor, investime dhe zhvillimin e përgjithshëm të cilat kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje. Të përballur me këto sfida, platforma 1198 paraqitet jo vetëm si zgjidhje por edhe si pasqyrë e shkëlqyeshmërisë”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Bartësit e listave në VMRO vetëm se janë definuar tanimë disa javë. Në njësinë e parë zgjedhore bartës do të jetë kreu i partisë Hristijan Mickoski. Në njësinë e dytë do të jetë Vllado Misajllovski, në njësinë tre Dragan Kovaçki, në njësinë 4 , Aleksandar Nikolloski, në njësinë 5 Gjorgjija Sajkoski dhe në zonën gjashtë Dafina Stojanovska.