Kovaçevski – Gallovej: Shkupi dhe Londra kanë interes të përbashkët që Maqedonia e Veriut të sigurojë pavarësi të qëndrueshme energjetike

TË FUNDIT



Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot është takuar me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në vend, Rejçëll Gallovej. Sipas njoftimit të Qeverisë, Kovaçevski në takim e shprehu mirënjohjen për miqësinë tradicionale të Mbretërisë së Bashkuar.

“Kryetari i Qeverisë Kovaçevski rikujtoi se Mbretëria e Bashkuar kryesoi me BE-në kur vendi ynë e mori statusin e kandidatit në vitin 2005, kur Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar ishte Toni Bler dhe se populli i Maqedonisë së Veriut e mban mend këtë vendim si një prej më të rëndësishmeve në procesin e eurointegrimeve tona”, thuhet në kumtesë.

Ambasadorja Gallovej konfirmoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet mbështetës i fuqishëm i reformave kyçe në proceset në Maqedoninë e Veriut.

“Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për prosperitetin e vendit në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe do të vazhdojmë të mbështesim strategjinë energjetike të Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimin e saj për tranzicion të tërësishëm dhe të qëndrueshëm drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë”, tha Gallovej.