Shtetësia për oligarkun Onishçenko! Dimovski do të largohet nga ASK, por menjëherë do të emërohet ambasador

TË FUNDIT

Përgjegjësi për rastin me dhënien e shtetësisë oligarkut kontrovers Oleksandar Onishçenkos, duhet të ketë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai tha se së shpejti do të ketë ndryshim në pozitën e drejtorit të ASK-së ku tani është Viktor Dimovski. Por edhe pse u la përshtypje se edhe shefi i shërbimeve të sigurisë do të mbajë përgjegjësi, kjo nuk do të ndodhë, për shkak se ndryshimi i tij bëhet sepse ai shkon në pozitën ambasador në Paris.

“A do të kemi drejtor të ri të ASK-së, përkatësisht a do të ketë përgjegjësi, po, do të kemi drejtor të ri të ASK-së dhe kjo do të bëhet në 24 ditët e ardhshme, kur do të emërohet drejtori i ri i ASK-së. Kjo është për shkak se drejtori tashmë ka marrë pëlqime për t’u bërë ambasador në Paris dhe tashmë ka filluar procesi i seleksionimit të drejtorit të ri të ASK-së”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kovaçevski në lidhje me këtë rast, tha se ka kërkuar raport nga të gjitha 4 institucionet mes të cilave edhe ASK-ja që ka dhënë mendim pozitiv për Onishçenko që i njëjti të marrë shtetësi. Mbi këtë nesër Dimovski duhet të referojë në seancë të qeverisë.

“Unë kërkova raport të detajuar në bazë të hetimit ose analizës së bërë sipas procedurave të ASK-së dhe drejtori erdhi që të japë raport në seancë të mbyllur të qeverisë. Kjo do të ndodhë sipas të gjitha gjasave nesër megjithatë ju vetë e dini se nga seanca e mbyllur e Qeverisë nuk mund të jepen raporte dhe informacione”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Javën e kaluar në seancë të mbyllur të Komisionit për mbikëqyrje të punës së ASK-së, llogari dha pikërisht Dimovski, por për të qenë skandali edhe më i madh, ndodhi lëshim sigurie nga kjo seancë. Në momentin kur foli shefi i shërbimeve të sigurisë, doli audio transmetim në jutjub kanalin e Kuvendit. Kryeparlamentari Talat Xhaferi po i pret rezultatet e hetimit të zbatuar nga MPB.

“Hetimi është në proces e sipër. Pasi të marrim informacione zyrtare nga MPB-ja, do t’ju njoftojmë”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Skandali me dhënien e shtetësisë së Maqedonisë oligarkut kontrovers me prejardhje ukrainase, Oleksandar Onishçenko i cili është në listën e zezë të SHBA-ve, ndodhi javën e kaluar  pasi dolën informacione se katër institucione kanë dhënë mendim pozitiv që ai të marrë shtetësi. Kreu i ASK-së, Viktor Dimovski arsyetohej se personi i obliguar për nivelin e fundit të kontrollit në konsultim me NATO, nuk e ka bërë punën e tij.