Dimitar Kovaçevski dhe Frosina Remenski edhe zyrtarisht kanë dorëzuar kandidaturat e tyre për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate. Zëvendësministri i financave Kovaçevski përflitet si emri favorit i kryetarit aktual, Zoran Zaev, i cili në takimet me Alternativën për zgjerimin e shumicës, po shkon i shoqëruar nga Kovaçevski.
Gazetarja: Për shkak se jeni direkt i propozuar nga z.Zaev dhe ndikimi mund të jetë i madh. Sa do të ketë ai ndikim mbi vendimet tuaja?
“Ju edhe sot jeni dëshmitar se kanddiatura zhvillohet në procedurë me vetëkandidim, unë sapo e solla kandidaturën time bashkë me programin tim. Puna ime dhe integriteti im unë do ta konfirmoj përmes punës, politikave dhe vendimeve që i sjell nëse zgjidhem për kryetar të LSDM-së“, tha Dimitar Kovaçvski, kandidat për kryetar të LSDM-së.
Kandidatja Remenski e pyetur për këtë favorizim ndaj Kovaçevskin, thotë se “jo gjithçka është e qartë”, ndonëse, siç shton, ai tashmë ka mbështetje nga Qeveria.
Ish-deputetja socialdemokrate tregoi se pse ka vendosur të kandidojë, ndërsa tha se në këtë periudhë pret unitet dhe konsolidim të LSDM-së, për uljen e dallimeve mes disa strukturave partiake.
“Këtë vendim e kam marrë duke pasur parasysh gjithë aktivizmin tim shoqëror, politik dhe partiak në ditët dhe kohët kur LSDM-ja përballej me një situatë të vështirë opozitare, kur merrte vendime serioze shtetformuese dhe kur ne luftonim për ta ruajtur unitetin në parti”, theksoi Frosina Remenski, kandidate për kryetare të LSDM-së.
Jozyrtarisht është mësuar se gjithsej do të jenë 3 kandidatë që do të synojë të jenë në krye të LSDM-së, gjersa emri i tretë ende nuk dihet. Zgjedhjet brendapartiake në LSDM do të mbahen me 12 dhjetor. Zgjedhjet mbahen pas dorëheqjes së kryetarit Zoran Zaev pas humbjes së thellë që pësoi LSDM-ja në zgjedhjet lokale.
