Maqedonia deri më tani ka bërë shumë për integrimin e saj euroatlantik, siç dihet ndryshoi emrin i cili ishte kusht për tu bërë anëtare e NATO-së dhe BE-së. Por NATO e realizoi atë që premtoi, ndërsa BE nuk e bëri këtë gjë. Këtë në forumin e GLOBSEK në Bratislavë e deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, i cili porositi se BE duhet të ketë strategji të qartë për integrimin e rajonit.
“Vlerësoj se BE pas luftës në Ukrainë e kuptoi gabimin strategjik që e bëri para disa viteve kur na e vendosi veton neve Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. E dini se kur bëni gabim strategjik nuk mund ta zgjidhni për 5 minuta. Për shkak se gabimet strategjike kanë efektin e tyre në periudhë prej më së paku 5 deri në 10 vjet”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Në këtë forum mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se pajtohet me këtë se për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimorë në BE nuk duhet të shpejtojë, por të ketë qasje fundamentale, por njëkohësisht theksoi se BE duhet të jetë më e drejtë në sigurimin e mjeteve financiare për rajonin. Mbështetja vjen përmes huamarrjeve, ndërsa vetëm 10% janë grante të destinuara për ndonjë ndihmë teknike, tha Rama.
“Ajo që duhet të ndodh tani është që BE duhet të hapë rrugë të re për bashkëpunim në aspekt të financave për shkak se në të kundërtën nuk ka ardhmëri. Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit për Ballkanin, ndërsa nëse Ballkani vetëm kollitet, kjo për BE është e barabartë me pneumoni”, pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Përndryshe në forum, kryetarja e KE-së Ursula von der Lajen e prezantoi iniciativën e re për zhvillimin e vendeve të Ballkanit perëndimor. Bëhet fjalë për një plan të ri për Ballkanin perëndimor dhe duam që ta avancojmë përparimin e arritur në muajt e fundit, tha ajo.
“Duam që të sjellim disa nga përfitimet e anëtarësisë në BE për qytetarët e Ballkanit perëndimor që sot. Plani për zhvillim që e propozojmë sot është ndërtuar në katër shtylla. Së pari, ta afrojmë Ballkanin perëndimor deri te tregu europian. Së dyti, të thellohet integrimi rajonal dhe ekonomik.. Së treti të përshpejtohen reformat fundamentale dhe së katërti, të rriten mjetet para aderimit”, theksoi Ursula Von Der lajen, kryetare e KE-së.
Në fokusin e forumit global të sigurisë GLOBSEK që mbahet në Bratislavë është gjendja në Ukrainë, rezistenca e Europës kundrejt luftës si dhe zbutja e pasojave globale nga konflikti përmes përforcimit të lidhjeve ekonomike dhe energjetike.
