Kovaçevski: Askush nuk guxon të negociojë për gjuhën dhe identitetin maqedonas

TË FUNDIT

Të martën në Shkup pritet të mbërrijë kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkovi ku do të takohet me kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. A mund vizita e Petkovit të interpretohet si fillim i ri në marrëdhëniet bilaterale me RMV?

Kryeministri Kovaçevski gjatë fjalimit të tij dërgoi porosi të qartë se nuk mund të bëhen negociata për identitetin maqedonas i cili është themel i popullit dhe shtetit.

“Në rrugën drejt BE-së para nesh janë sfida për të cilat të dyja qeveritë, ajo e Maqedonisë së Veriut dhe e Bullgarisë, janë të vendosura të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Qytetarët e Maqedonisë dhe Bullgarisë më shumë janë të interesuar për ekonominë, kulturën, shkëmbimet arsimore dhe rinore, infrastrukturën dhe mbi këto tema duhet të bashkëpunojmë më shumë. Historia u takon historianëve, por çështjet e identitetit janë themel i popullit dhe shtetit. Për Qeverinë nuk ka asnjë dilemë – askush nuk guxon të negociojë për identitetin e popullit maqedonas dhe për specifikën dhe veçantinë historike dhe shkencore të gjuhës maqedonase”, deklaroi Kovaçevski.

Pritet që të dy kryeministrat t’i shqyrtojnë kërkesat kryesore bullgare “pesë plus një”, për të cilat Maqedonia tashmë dha përgjigje, por edhe të bisedojnë për formimin e pesë grupeve pune, gjegjësisht për ekonominë, infrastrukturën, eurointegrimet kulturën dhe çështjet historike.
Petkov do të vijë bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe ministrin e Transportit, Nikollaj Shabev, kurse siç shkruan në ueb-faqen e Qeverisë bullgare, arsyeja e kësaj vizite është 30-vjetori i njohjes së shtetit të pavarur maqedonas nga ana e Bullgarisë. Ndryshe, kryeministri Petkov së fundmi tha se duhet të ndryshojë kuptimi lidhur me atë se çka nënkuptohet me faktin që RMV-ja të negociojë me BE dhe të jetë pjesë e Unionit në të ardhmen. Nga Qeveria e Maqedonisë paralajmëruan se vizita e kryeministrit bullgar që do të ndodhë më 18 të këtij muaji, do të fillojë në orën 9 me një ceremoni për pritje solemne.