Kostovski akuzon për ryshfet, Smilevski kërkon që PPTH-ja të hapë lëndë

TË FUNDIT

Kandidati për kryetar të Butelit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Darko Kostovski dërgoi akuza dhe kritika serioze në adresë të kryetarit aktual të komunës, Velimir Smilevski. Ai akuzon se për dokumente më të thjeshta qytetarëve u është kërkuar ryshfet, por shton se nuk ka dëshmi për këtë. Shpresoj së shpejti të publikoj video për këtë çështje, shton Kostovski.

“Në shumë vendbanime njerëzit ankohen se dikush nga komuna për një dokument të thjeshtë për legalizim u ka kërkuar ryshfet. Por, kjo për momentin është shumë vështirë të publikohet. Por, pas datës 17 unë ju premtoj edhe juve si shtëpi, edhe Smilevskit, edhe qytetarëve, edhe komunës së Butelit se këtë çështje do të hetohet në detaje. Nuk mund të denoncoj diçka që personalisht nuk kam parë. Vetëm kam dëgjuar dhe kjo qarkullon në Butel, është shumë me rëndësi”.

Për akuzat e këtilla, kryetari Smilevski kërkoi që Prokuroria ta thërrasë Kostovskin dhe të hapë procedurë.

“Kërkoj që Prokuroria ta thërrasë kandidatin dhe të kontrollojë se si dikush në kohën time ka ndërtuar objekt dhe ka për qëllim ta legalizojë të njëjtin. Kemi ligj nga viti 2011, njerëz kjo është diçka shumë serioze. Domethënë VMRO-DPMNE-ja dhe z.Kostovski nuk dinë çfarë po flasim. Në rrugë… Për gjëra të tilla nuk duhet të pritet 17-i. A më kuptoni? Nuk ka hapësirë që të pritet data 17. Kjo është një çështje shumë serioze. Vazhdimisht – mua dikush më ndali në rrugë, mua dikush më tha në rrugë”.

Në Vizbeg, lagje e cila është pjesë e Butelit, ende nuk ka shkollë fillore, edhe pse deri më tani disa herë ishte premtuar se do të ndërtohet. Kostovski thotë se në programin e tij ky projekt do të jetë prioritet.

“Një nga projektet kryesore në programin tonë është ndërtimi i shkollës fillore në vendbanimin Vizbeg. Sigurisht se nuk guxoj ta harroj këtë problem me të cilin përballen banorët e Vizbegut, sepse diku në qershor, si parti politike bëmë anketë të detajuar dhe analizë, dhe sipas asaj ankete në territorin e të gjithë Butelit, për qytetarët e Vizbegut absolutisht në vend të parë ishte shkolla e tyre”.

Por, kryetari Smilevski pohon se procedurat janë kah fundi dhe se së shpejti do të fillojë ndërtimi i shkollës. Obligimi i komunës është të ndërtojë rrugë, ujë dhe ta përfundojmë kanalizimin, shton Smilevski.

“Sa i takon shkollës dhamë një miratim të cilin sot e kam këtu, sepse për shkollën në Vizbeg nuk kishte miratim për ndërtim dhe kjo duhet theksuar. Ajo që është më me rëndësi është se më 12 tetor në orën 9 hapet tenderi për ndërtimin e shkollës në fjalë”.

Kandidatët për kryetar të Butelit, ai aktual nga LSDM, Velimir Smilevski dhe Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE edhe në këto zgjedhje lokale sërish do t’i matin forcat, pasi të dy ishin kandidatë edhe në zgjedhjet e kaluara në vitin 2017.