Kosovë, sot vazhdon seanca për zgjedhjen e presidentit

TË FUNDIT

Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e filluar të shtunën, është shtyrë për të dielën (sot).

“Seanca do t’i vazhdojë punimet nesër, më 4 prill në orën 17:00”, tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në garën për President, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin, ndërsa kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Kujtojmë se mbrëmë raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.