Kosovë, sot seanca për konstituimin e Kuvendit

TË FUNDIT

Një ditë pas publikimit të plotë të akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, i cili kërkon nga deputetët që brenda 30 dite të konstituojnë këtë institucion, Kuvendi ka njoftuar se është thirrë seanca për të mërkurën në orën 11:00. Vetëvendosje ka kritkuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se kushtetuesja ka hyrë në kompetencat e Kuvendit duke kufizuar të drejtën e votimit të një kandidati për kryeparlamentar deri në tri herë. Deputeti i LVV-së, Hekuran Murani, ka shkruar se akgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përmbajtje sikur të ishte shkruar në zyrat e PDK-së.

‘’Kryesuesi i Seancës Konstituive z. Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga data 15 prill e deri me 26 korrik kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, nëse marrim për bazë Aktgjykimin KO119/2014. Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014. Nuk ka ndryshuar.
Por ajo çfarë ka ndryshuar është interpretimi që po i bëjnë Kushtetutës anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ka ndryshuar fituesi – tash është Lëvizja Vetëvendosje e nuk është PDK-ja. Në fakt, ky Aktgjykimi i publikuar dje edhe duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së, për dallim prej atij të datës 26 qershor që megjithatë linte përshtypjen se ka pasur kontribut edhe nga vetë Gjykata’’.

Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, vlerëson se bllokada për konstituimin e Kuvendit mund të vazhdoj edhe pas publikimit të akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pa një vullnet politik nga LVV-ja nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit.

‘’Kritikat e zyrtarëve të LVV-së ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese janë sinjale se bllokada në Kuvend mund të vazhdoj. Unë kujtoj se duhet të gjenden energji të mira për dalje nga bllokada. Unë besoj se nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet, pra që një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë, atëherë dilet prej ngërçit politik. LDK-ja prapë e ka qëndrimin e njejtë se nuk do ta votojmë asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit. Por ka vullnet nga partitë politike, apo nga disa individ që të dilet prej kësaj situate. Ngërçi politik mund të tejkalohet vetëm nëse ka vullnet politik nga partia e parë”.

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, akuzon LVV-në për shkelje kushtetuese dhe bllokim të konstituimit të Kuvendit. Deputetja Kadrijaj tha se AAK-ja nuk kanë votë për Albulena Haxhiun dhe as për anëtarët e kabinetit qeveritar.

Time Kadrijaj, shefe e grupit parlamentar të AAK-së
‘’ Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se zoti Dehari ka shkelur kushtetutën, duhet që t’i kthehet rendit të ditës , duhet t’i kthehet votimit të hapur dhe një kandidat nuk ka të drejtë më shumë se tri herë të propozohet. Gjykata ka qartësuar se LVV-ja nuk e ka të drejtën për bllokimin e Kuvendit. Nëse e ki të drejtën e propozimi e ki pobligim sigurimin e 61 votave. Jo, nuk do të ketë votë për Albulena Haxhiun dhe për asnjë anëtar të kabinetit qeveritar sepse të gjithë e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe të gjithë janë me aktakuza”.

Burimet e RTV21 brenda Lëzvizjes Vetëvendosje thonë se ky subjekt politik të mërkurën para fillimit të seancës konstituive do të mbajë mbledhje të grupit parlamentar dhe aty do të vendosen veprimet që do të ndërmarr ky subjekt politik brenda Kuvendit, si dhe do të vendoset për emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Avokati, Ardian Bajraktari, intepreton se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ia mohon të drejtën Albulena Haxhiut që të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit pavarësisht se e ishte propozuar në seanca fillestare.‘’Një kufizim i tillë zbatohet nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit prandaj edhe për kundër faktit se zonja Haxhiu është propozuar më shumë se sa një herë paraprakisht vlerësoj se ky kufizim zbatohet nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit sepse akgjykimet nuk kanë karakter prapa veprues”.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit i gjenë partitë politike pa konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni./RTV21/21Media