Kosovari mashtron gjermanin, i prezantohet si diplomat

TË FUNDIT

Dy shtetasit kosovarë, Bekim Hamza dhe Enver Shala, janë dënuar për mashtrim të një investitori gjerman nga Gjykata Komunale në Pforzheim të Gjermanisë.
Ky mashtrimi, i cili vlerësohet të jetë rreth 550 mijë euro, ishte bërë me pretendimin e njërit prej tyre se është diplomat i Republikës së Kosovës, i cili kishte premtuar investime në Kosovë. I mashtruari, gjermani Werner Kohler, i lindur më 28 nëntor 1963, këtë muaj i është drejtuar edhe Prokurorisë së Kosovës dhe Gjykatës Penale në Gjakovë, me një kërkesë për arrest të këtyre dy kosovarëve, sepse përpos që e kishin mashtruar, ai edhe ishte kërcënuar me vdekje prej tyre, raporton Indeksonline.
Indeksonline mëson se autoritetet gjermane kanë njoftuar edhe Ambasadën e Kosovës në Gjermani për këtë mashtrim ordiner, pasi që njëri prej tyre, që të dukej më bindës para investitorit gjerman, kishte frekuentuar shpesh edhe Konsullatën e Kosovës në Shtutgart të Gjermanisë, duke keqpërdorur kështu edhe vajzën e tij, e cila punon si staf vendor aty. Në MPJ pohojnë se janë informuar nga autoritetet gjermane për mashtrimin e shtetasve kosovarë, por konfirmojnë se asnjë diplomatë kosovarë nuk është i dyshuar si i implikuar në këtë rast.
“Rasti nuk ka të bëj asgjë me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart. Fakti se gjykata gjermane ka marrë vendim për disa qytetarë të tjerë dhe nuk e ka intervistuar asnjëherë, në çfarëdo cilësie, ndonjë punonjës të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart e vërteton këtë”, ishte përgjigjja e Zyrës për Komunikim me Publikun në MPJ.
Sipas tyre, MPJ ka bashkëpunuar me autoritetet gjermane gjatë gjithë kësaj kohe dhe Konsullata e Kosovës në Shtutgart vazhdon të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe të investitorëve potencialë, që t’iu ofrojë informata të sakta dhe valide nëse kërkohen prej tyre. “Pra, të dënuarit nuk kanë asnjë lidhje familjare më diplomatët e Republikës së Kosovës, mirëpo vajza e njërit prej tyre është e angazhuar vetëm si staf vendor në pranimin e telefonatave në konsullatë, e cila posedon edhe nënshtetësi gjermane”, sqaron MPJ.
Kosovarët e dënuar, të cilët me gjasë tani janë kthyer në Kosovë dhe nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre ndaj palës së dëmtuar, siç mëson Indeksonline, ishin të dënuar edhe më herët në Gjermani. I pandehuri, Bekim Hamza, kishte një aktgjykim edhe nga Gjykata Komunale në Karlsruhe më dt. 16.05.2013, kurse Enver Shala, i cili është edhe babai i të angazhuarës si staf vendor në Konsullatën e Kosovës në Shtutgart, për rastin në fjalë dënohet për mashtrim me falsifikim të dokumenteve, i cili investitorit gjerman i ishte prezantuar si diplomat i Kosovës.
Në padinë e gjermanit Werner Kohler, të cilën e ka siguruar Indeksonline nga burime brenda Prokurorisë së Kosovës, thuhet se kërcënimi me vdekje i është bëra gjatë këtij muaji, më 6 gusht 2015 dhe kërkohet bllokimi i xhirollogarive, bllokimi i pronave të familjarëve dhe i gjithçkaje që është pronë e Bekim Hamzës dhe Enver Shalës, dy të akuzuarve të paditur nga ai.