Një milion e 938 mijë votues të regjistruar vendosin për përbërjen e re të parlamentit 120 vendësh të Republikës së Kosovës. Rreth 900 qendra votimi me rreth 2 mijë vendvotime janë të hapura deri në orën 19:00 dhe votuesit do të zgjedhin në mesin e mbi 1 mijë kandidatëve të 25 subjekteve politike.
Gjithashtu zgjedhjet po i ndjekin rreth 30 mijë vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe të ambasadave perëndimore. Autoritetet vendase e ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe pjesëmarrje në shkallë të gjerë. Kandidatët për kryeministër uruan për zgjedhje fer dhe demokratike
“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik, sepse është ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj se përmes një procesi fer dhe demokratik Kosova ka arsye për të festuar”, potencoi Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre e LDK-së.
“Të gjithë jemi të barabartë, sistemi politik është hapur për të gjithë dhe secilin prej nesh. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri, e historik për nga pesha”, deklaroi kandidati për kryeministër i Vetvendosjes, Albin Kurti.
“I uroj gjithë qytetarët e vendit tim, t’i japim perspektivë vetvetes, t’i japim perspektivë Kosovës sonë perëndimore. I japim perspektivë të ardhmes sonë për fëmijët tanë më së shumti”, theksoi Kadri Veseli, kandidat për kryeministër i PDK-së.
“Andaj, i lus të gjithë qytetarët e vendit të gjithë pa marrë parasysh bindjet e tyre politike të dalin e të votojnë. Vetëm me votë vendosin vetë, e për ata që nuk votojnë, vendosin të tjerët për ta”, u shpreh kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Jam i bindur dhe shpresoj e pres se vota e qytetarit të Kosovës, do ti jep siguri vendit do ti jep perspektivë vendit do ti jep mundësi të jashtëzakonshme për ti bërë hapat e duhur”, tha kandidati për kryeministër nga Nisma, Fatmir Limaj.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u ka bërë apel qytetarëve të Kosvës që të marrin pjesë në votime. Në një postim në Twitter, Kosnett shprehet se çdo votë do të numërohet dhe secili zë ka rëndësi pavarëisht pikëpamjeve politike. Analistët pohojnë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm sikundër edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Zgjedhjet parlamentare pasuan me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Vlen të theksohet se asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008.
