Kosova vendos viza për të gjithë qytetarët rusë, pa përjashtim

TË FUNDIT

Qeveria e Kosovës në seancën e sotme ka marrë vendim për vendosjen e vizave për të gjithë qytetarët e Rusisë, të cilët dëshirojnë të hyjnë apo ta shfrytëzojnë vendin për transit në çfarëdo mënyre, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se shtetasit rusë me pasaporta të rregullta, zyrtare dhe diplomatike, si dhe ata që kanë leje qëndrimi biometrike të lëshuar nga vendet e zonës Shengen, janë të detyruar të pajisen me vizë të Kosovës në të ardhmen, qoftë për hyrje, transit ose qëndrim në Kosovë.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Liza Gashi, duke e prezantuar propozimin, i cili u miratua në seancën e sotme të Qeverisë, theksoi se masa e propozuar është në përputhje me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për vizat për qytetarët rusë.

“Pas hyrjes në Republikën e Kosovës, pa përjashtim, kërkohet vizë për qytetarët e Federatës ruse. Ky propozim i Ministrisë së Punëve të Jashtme është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të marra nga Kosova në koherencë me vendimin e fundit të BE-së për anulimin e marrëveshjes për lehtësimin e marrjes së vizave Shengen për qytetarët rusë”, tha Gashi.