Kosova, temë e takimit tre orësh mes Putinit dhe Vuçiqit

TË FUNDIT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë zhvilluar një takim që ka zgjatur 3 orë.

Pas takimit Vuçiq tha se bashkëpunimi mes dy vendeve në sferën ushtarake dhe teknike është në nivelet më të larta, por theksoi se shpresonte për marrëveshje të reja.

Gjatë takimit të mbajtur në Soçi, Putin falënderoi Vuçiqin për faktin se gjuha ruse mësohet në shkollat serbe.

Sipas Vuçiq marrëdhëniet Rusi-Serbi janë në nivelet më të larta që kanë njohur ndonjëherë në histori.

Për çështjen e Kosovës, Putin tha se Rusia ka mbështetur gjithmonë Beogradin në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Për përpjekjet tuaja dhe hapat e përbashkëta në arenën ndërkombëtarë, përfshirë dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e dini se pozicioni ynë është parimor. Ne mbështesim pozicionin tuaj për Kosovën” , tha Putin gjatë bisedës me Vuçiq.

Presidenti i Rusisë deklaroi se shpresonte që situata të zgjidhet në një mënyrë që t’u shkojë përshtat interesave të të gjithë popujve të rajonit.