Kosova pezullon përkohësisht vizat për qytetarët e Ukrainës

TË FUNDIT

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pezullim të përkohshëm të regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës, që mund të hyjnë në territorin e Kosovës.

Ky vendim është marrë të mërkurën, 9 mars, pas kërkesës së ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Qeveria e Kosovës ka shprehur më parë gatishmëri dhe ka ndarë mjetet financiare për të strehuar 20 gazetarë nga Ukraina.

Ky vendim ka hapur rrugën për nisjen e procesit të përzgjedhjes së këtyre gazetarëve nga dy organizatat ndërkombëtare: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ).