Kosova negocion me Bankën Botërore për furnizimin e vaksinës për Kovid-19 kur do të shfaqet

TË FUNDIT

Ministrja e Financave e Kosovës, Hikmete Bajrami informoi se Ministria e saj po zhvillon negociata intensive me Bankën Botërore për t’u përfshirë në një projekt për furnizimin dhe financimin e vaksinës Kovid-19 kur të shfaqet, raporton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Bajrami e publikoi informacionin në një konferencë për shtyp pas seancës së sotme të Qeverisë, në të cilën u miratua Buxheti i shtetit për vitin 2021, në vlerë prej 2.4 miliardë euro.

“Ne jemi në negociata intensive me Bankën Botërore me qëllim që të përfshihemi në një projekt për furnizimin dhe financimin e vaksinës kundër Kovid-19 dhe kemi besim se do të jemi ndër vendet e para që do të marrim vaksinën menjëherë sapo të shfaqet. Këto parashikime bazohen në situatën aktuale”, tha Bajrami.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit, duke paralajmëruar se një mbyllje e re e vendit do të ishte fatale për ekonominë.