Kosova largohet nga ranglista e shteteve më të sigurta për të investuar, me të cilën u lavdërua Kurti

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka promovuar një ditë më parë rangimin e bërë nga një kompani private, që e prezantoi Kosovën në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar. Por, një ditë më vonë, emri i shtetit është larguar nga lista. Kompania nuk dha sqarime për këtë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është krenuar me indeksimin që kompania private “Henley & Partners”, i ka bërë Kosovës, duke e prezantuar në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar.

Në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, Kosova u rangua në vendin e 26-të nga 225 shtete, duke lënë pas Francën, SHBA-në e Japoninë.

Por, një ditë pas, emri i Kosovës nuk figuron në listë. Ai është larguar bashkë me një numër shtetesh të vogla në territor.

Kompania nuk u përgjigj në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë, e as për metodologjinë dhe indikatorët që përdori për llogari të rangimit.

Me entuziazmin e kryeministrit nuk kanë folur për rangimin oponentët e tij dhe as përfaqësues të bizneseve.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova nuk qëndron mirë sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

“Kosova është duke vuajtur për investime të huaja kualitative. Vetëm ato investime që rrisin prodhimin, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve. Nëse i shohim të dhënat sot që janë publikuar nga ASK-ja e shohim që 12 e pak mbulohet bilanci tregtar mes importit dhe eksportit. Kjo është rezultati që më së miri tregon sa kemi investime dhe sa është e sigurt Kosova për të ardhur dhe investuar në vendin tonë”, ka thënë Rafuna.

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ironizuar me Kurtin.

“Në kohën në të cilën jetojmë edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik”, ka shkruar në Facebook Bajrami.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, nga janari e deri në qershor investimet e huaja direkte ishin në vlerë 441.3 milionë euro, që shënon rritje prej 5.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ato janë kryesisht investime në paluajtshmëri, të bëra nga diaspora.

Kryetar i Odës Ekonomike numëron disa nga faktorët, për të cilët thotë se e bëjnë Kosovën vend të papërshtatshëm për investim.

“Sfida e parë është mungesa e fuqisë punëtore, e dyta është që as kjo fuqi që kemi nuk është e përgatitur me kërkesat e tregut, pse nuk është bërë nga ana e institucioneve reforma në sistemin e arsimit, shto këtu edhe pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-të, me një fjalë imazhit që nuk e kemi të ndërtuar të mirë dhe të gjitha këto kanë qenë pengesë për mosardhjen e investimeve të huaja në Kosovë”, ka deklaruar Rafuna.

E kryeministri Kurti ka theksuar se, pavarësisht krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, Kosova vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta.