"Kosova ka nevojë për fitimin e përkrahjes së FMN-së"

TË FUNDIT

Kosova ka nevojë për mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në mënyrë që të ketë qasje në institucionet tjera financiare për marrje të kredive për projektet qeveritare. Kështu ka deklaruar ministri i financave , Avdullah Hoti, pasi kthimit nga vizita në SHBA.

Hoti ka thënë se ka mundësi që Kosova të ketë një program me FMN, program ky i cili pritet të negociohet shumë shpejtë. “Jemi pajtuar në terma të përgjithshëm me FMN për një program të mundshëm të cilin do e negociojmë besoj shumë shpejtë, i cili program neve na mundëson të mbajnë stabilitetin makro- fiskal në vend por në të njëjtin kohë të hapim mundësinë për projekte zhvillimore… Ne i kemi bind ata që Kosova ka stabilitetmakro-fiskal, Kosova nuk ka nevojë për programme FMN për të ruajtur stabilitetin makro-fiskalsepse ne e mbajmë vet atë, por kemi nevojë për mbështetjen e fondit për të siguruar kredibilitet te organizatë ndërkombëtare karshi financave publike që ne kemi mundësi të hyjmë në kredi ndërkombëtare te Banka Botërore, te IBRD, IBA tek organizatë tjera që janë të gatshme të financojnë projektet e qeverisë së re”, theksoi Hoti.

Edhe Guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza, sikurse ministri Hoti, e vlerësoi vizitën e bërë në institucionet kryesore të financave në botë, duke thënë se arritja e një programi të ri me FMN, do t’i mundësoi Kosovës të krijojë lidhje të reja me institucionet e tjera financiare. “Arsyeja e këtij programi nuk qëndron në ruajtjen stabilitetin makro-fiskal dhe financiare, pasi që ai vlerësohet lart nga këto institucione, por mbi të gjitha është se pasi që programi i FMN merret edhe si pikë reference nga institucionet e tjera ne të kemi program me FMN me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me institucionet e tjera dhe fitimin e përkrahjes së tyre”, tha Hamza.

Ndërkohë për shumën e këtij projekti nuk u dha asnjë shifër, për çka ministri Hoti theksoi se shuma që do vendoset do të varet krejtësisht nga projeksionet që mund të bëjnë me FMN-në.