Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza gjatë një mbledhjeje që u mbajt në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 20 prill.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se shteti i Kosovës nuk ka dalë nga “lëvizjet separatiste, por nga gjenocidi”, ndërkaq homologu i saj serb, Nikolla Sellakoviq, akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve, përfshirë edhe për trafikim organesh.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Gërvalla tha se është krenare me UÇK-në, “me burrat dhe gratë që mbrojtën njerëzit e tyre dhe shtëpitë e tyre”. Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i “Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq”.
Sellakoviq iu kundërpërgjigj duke thënë se “kasapët e vërtetët të Ballkanit” gjenden në Hagë të dyshuar për krime lufte, duke përmendur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli, të cilët gjenden në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Përderisa Gërvalla tha se personi që ka shkruar një raport për krimet e pretenduara të luftës, senatori Dick Marty, ka qenë cak i një atentati të planifikuar nga shërbimet e inteligjencës, Sellakoviq, i quajti raportimet si “të paverifikuara”.
