Korrupsioni dhe keqpërdorimet politike janë armiqtë më të mëdhenj të qytetarëve dhe të sundimit të së drejtës, ka shkruar në porosinë e tij kryeministri Zaev, në Ditën Ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit. Ai porositi se Qeveria edhe më tej është e përkushtuar në ndërtimin e sistemit kundër keqpërdorimeve të tilla.
“Korrupsioni i vjedh paratë nga qytetarët, e rrënon shtetin juridik, i dobëson institucionet dhe e cenon demokracinë. Drejtësia, barazia dhe liria janë viktimat e para të keqpërdorimeve politike dhe korrupsionit”, tha Zaev.
Në panel diskutimin për luftën kundër korrupsionit, kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, porositi se çdo individ duhet të tregojë kapacitet që të luftojë kundër kësaj të keqeje.
“Çdo sjellje e guximshme, e përgjegjshme dhe profesionale e qytetarëve do të thotë kundërshtim i korrupsionit. Asnjëherë nuk është vonë që të kundërshtojmë këto veprime joligjore të individëve dhe institucioneve, por edhe të atyre zgjidhjeve ligjore të cilat shkaktojnë efekte shkatërruese për shoqërinë”, deklaroi Ivanovska.
Për nevojën nga rritja e efikasitetit të sistemit për antikorrupsion foli edhe euro ambasadori Dejvid Geer.
“Ekzistimi i institucioneve efikase vendore dhe mekanizma për luftë kundër korrupsionit janë kyçe në procesin aderues dhe janë pjesë e të ashtuquajturve fondamente, përkatësisht pjesë e çështjeve që vlerësohen në çdo fazë të procesit aderues dhe janë kyçe në negociatat”, deklaroi Geer.
Zv/kryeministri për luftë kundër korrupsionit Ljupço Nikollovski tha se Qeveria hap front të gjerë dhe ekziston vullnet i fuqishëm politik për ballafaqim me këtë dukuri.
“Vullneti për të krijuar sistem funksional në interes të qytetarëve, sistem i cili vazhdimisht dhe pa ndikime të ndryshme të lobi grupeve të ndryshme, do të gjenerojë drejtësi, shtet të së drejtës, rend dhe funksionim të institucioneve”, tha Nikollovski.
Në Ditën e sotme ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit, ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska së bashku me kryetaren e Transparency International Maqedoni, e prezantuan raportin prej hulumtimeve në lidhje me rreziqet nga korrupsioni në mbrojtjen e vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Arritëm të jemi të renditur në vendin e dytë para të gjitha vendeve të rajonit, ndërsa jemi më të mirë edhe prej 4 vendeve anëtarë të BE-së dhe 6 vendeve anëtarë të NATO-s, theksoi Shekerinska.
