Korrupsion gjithandej, Sallai nga KSHPK ankohet se procedurat nuk kanë epilog juridik

TË FUNDIT

Maqedonia është shtet i kapur nga korrupsioni dhe nga ndikimi në të gjithë sferat, theksoi anëtari i KSHPK, Shemsi Sallai, i cili ishte i ftuar në SUMMERCLICK. Thotë se të gjithë strukturat politike në mënyrë deklarative deklarojnë se angazhohen për luftën kundër korrupsionit, por në realitet askush nuk ndërmerr fare asgjë dhe kjo ndodh disa vite me radhë. Por kujt i përshtatet gjendja e tillë në vend?

“I përshtatet disa individëve të caktuar, të mos flas për gjithë garniturat politike të njërës apo tjetrës palë dhe individëve që janë në pushtet. Për shkak të mos ndërmarrjes së masave ne kemi edhe deklaratat e ambasadores së SHBA-ve si dhe lista e zezë e tyre që është parashtruar ku disa gjëra që ne si vend nuk mund t’i zbulojmë, ata tashmë kanë informacione dhe andaj i vendosin në listën e zezë dhe e njëjta do të zgjerohet”, tha Shemsi Sallai, anëtar i KSHPK.

 Një pushtet që e pranon se ka një nivel serioz të korrupsionit dhe nuk ndërmerr asgjë është shqetësuese, vlerëson Sallai, i cili u ankua se një numër i madh i procedurave që kanë hapur përfundojnë pa asnjë epilog. Kemi 0% të rasteve që kanë arritur në procedurë gjyqësore, dmth kanë ngelur në prokurori dhe aty kanë mbetur”, thotë Sallai.

“Kemi raste që shërbimet e inspektimit konstatojnë disa parregullsi, të njëjtat i konstatojmë, e paraqesim në procedurë të mëtejshme dhe  refuzohet. Nuk kemi epilog, për asnjë iniciativë  nuk është hartuar akt ligjor-prokurorik në gjykata, ndaj të konstatojmë nëse gjykatësit e lëndëve tona e përfundojnë procedurën apo edhe ato janë në atë drejtim me ndonjë ndikim dhe i refuzojnë”, dekalroi Shemsi Sallai, anëtar i KSHPK.

Për rastin e makinës së zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, Sallai thotë se ligjet kanë shumë zbrazëtira dhe nëse nuk është në emër të tij, atëherë nuk mund të nisin procedimin. Zgjidhje sheh në miratimin e një ligji për origjinën e pasurisë, me të cilin siç thotë ai, zyrtarët nuk do të mund ta fshehin pasurinë.