Ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, udhëton në Mal të Zi ku nesër do të nënshkruhet aneksi i Marrëveshjes me të cilin korridori 8 bëhet pjesë e kartës së korridoreve kryesore në rajon dhe në BE. Me këtë korridori 8 duhet të bëhet i dukshëm në rrjetet trans-europiane si dhe, siç thonë nga Qeveria, arsyetohet edhe nevoja e flamurit europian i vendosur në ligjet që janë të nevojshme për ndërtimin e korridoreve.
“Ndryshimet ligjore do ta përshpejtojnë ndërtimin e jo vetëm këtyre korridoreve por edhe projekteve tjera me interes nacional. Në ndonjë fazë tjetër, financimi i këtij projekti do të plotësohet me mjete europiane dhe do të kyçen edhe kompanitë europiane”, thonë nga Qeveria.
Në ndërkohë në Komisionin për çështje europiane vazhdon debati për ndryshimet e zgjidhjeve ligjore të nevojshme për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Në rend të ditës është Ligji për planifikim urbanistik i cili si ligjet tjera ka flamur europian. Në seancë u refuzua amendamenti i parashtruar nga VMRO-DPMNE, pas çka opozita reagoi.
“Nëse sillet kjo zgjidhje ligjore, procedurat e plota të planifikimin urbanistik do të suspendohen dhe nuk do të ketë nevojë për respektimin e planeve të detajuara urbanistike ose të planeve të përgjithshme urbanistike. Që nga ky moment e më tej kur kjo zgjidhje ligjore do të hyjë në fuqi, thjeshtë nuk do të vlejnë asgjë nga ato dispozita dhe procedura. Kjo do të thotë se jo vetëm për këto projekte me interes kombëtarë, por për çdo objekt, bile edhe nëse bëhet fjalë për ndërtim banesorë, nëse Qeveria sjell vendim se është me interes strategjik, mund të ndërtohet kudo, në cilëndo pikë”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Zv.ministri Bekim Rexhepi, në mbrojtje të ndryshimeve ligjore, tha se ato janë të nevojshme për korridoret me të cilat Maqedonia lidhet me Europën.
“Nuk është turp të investoni një miliardë euro për të mirën e qytetarëve ku Maqedonia nga një qorr-sokak do ta lidhim me Europën. Kjo është prioritet për neve. Ju duhet të krenoheni për shkak se jeni pjesë e përbërjes Parlamentare ku fillojnë projektet serioze kapitale me rëndësi”, deklaroi Bekim Rexhepi, zv.ministër për Transport dhe Lidhje.
Debati për ndryshimet në Ligjin për planifikim urbanistik do të zgjasë dy ditë, ndërsa duhet të debatohet edhe për tre ligje nga gjithsej pesë,që nevojiten për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D.
