Korridori 8 pjesë e hartës europiane! Boçvarski: Maqedonia e Veriut bëhet udhëkryq i rajonit

TË FUNDIT

Korridori 8 po bëhet pjesë e korridoreve kryesore të rajonit dhe BE-së. Ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski në Mal të Zi nënshkroi aneksin e Marrëveshjes me Bashkimin Europian, me të cilin Maqedoni me korridorin 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore europiane në aksin Lindje –Perëndim së bashku me Italinë, Shqipërinë dhe Bullgarinë.

“Ky është vendim i rëndësishëm strategjik i BE-së me të cilin Maqedonia e Veriut tashmë është pozicionuar në qendër si udhëkryq i rajonit me dy korridoret kryesore europiane që janë Korridori 10 dhe Korridori 8 me çka vazhdojmë me detyrimet tona dhe që këtu dua t’ju bëjë thirrje të gjithë institucioneve në shtet por edhe në gjithë rajonin që të fillojnë të punojnë në pjesën e tyre të obligimeve dhe detyrave dhe sa më shpejtë këtë infrastrukturë ta shndërrojmë në nivel të rrugëve dhe hekurudhave bashkëkohore dhe të sigurta me çka infrastrukturën tonë do ta ngritim në nivelin e infrastrukturës së BE-së”, theksoi Bllagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.

VMRO-DPMNE edhe më tej thotë se marrëveshja është e dëmshme, ndërsa ligjet që kanë flamur europian po sillen me forcë në Kuvend. Nga kjo parti informojnë se shefi i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka pasur takim me përfaqësuesin special të qeverisë gjermane, Manuel Saracin, ku është diskutuar për këtë çështje.

“Mickoski ka informuar Saracin për keqpërdorimet që i bënë pushteti në Kuvend në lidhje me përdorimin e flamurit europian për ligjet që kanë të bëjnë me marrëveshjen Bechtel dhe Enka për krimin historik, duke shtuar se në atë mënyrë nuk i lejohet edhe opozitës që të mund të diskutojë në lidhje me vërejtjet për ligjet”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe në Kuvend po vazhdon debati në komisionin parlamentar për ligjet e nevojshme për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Sot është dita e dytë e debatit për ndryshimet e Ligjit për planifikim urbanistik, ndërsa nesër mbetet të mbahet debati për tre ligjet tjera.