Korridoret edhe në pyetjet e deputetëve, Stojanovski akuzon për rrogën e konsultuesve prej 36.500 eurove

TË FUNDIT

Edhe në këtë seancë për pyetjet e deputetëve, tema kryesore ishte marrëveshja me Behtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Opozita edhe më tej akuzon se me këtë marrëveshje po bëhet krim ndërsa si shembull konkret Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE theksoi se konsultues të angazhuar nga jashtë për mbikëqyrjen e ndërtimit parashihet do të marrin rrogë prej 36.500 eurove, ndërsa në foltoren doli me dokumente për këtë.

“Kjo këtu është pjesë e marrëveshjes ku Dimitar Kovaçevski, Artan Grubi dhe ata që janë pjesë e këtij komiteti drejtues kanë marrë obligim që të paguajnë rrogë në nivel mujor prej 36.500 eurove njerëzve që janë angazhuar nga jashtë. Kini kujdes, se çfarë është paradoksi , do të përsëris edhe një herë, 36.500 euro, presidenti i SHBA-ve merr rrogë prej 33.000 dollarë në muaj, drejtori i NASA merre rrogë prej 16.790 dollarë në muaj. Çfarë do të punojnë këta inxhinierë tanë?”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Kryeministri Kovaçevski nuk iu përgjigj konkretisht megjithatë foli për rëndësinë e korridoreve, e akuzoi opozitën për përhapje të histerisë. Për gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së përgjigjja më e mirë erdhi nga ambasadorja amerikane tha Kovaçevski, ndërsa Stojanovskit iu drejtua me kundër pyetje.

“Me zgjidhjet ligjore që tashmë kaluan në debatin e Komisionit bëhet harmonizim të zgjidhjeve ligjore që të mund të kemi kosto më të ulët, të bëhet më shpejtë dhe në mënyrë më efikase, me qëllim që qytetarët tanë të lëvizin nëpër autostradat jo vetëm të paguajnë për ta. Të kritikohet pa asnjë argument dhe pa bazë askujt nuk i sjell asgjë të mirë. Në fund unë do t’ju pyes juve diçka, nëse doni që autostradën ta ndërtojnë konsorciume amerikane apo doni ta ndërtojnë konsorcium kinez apo rus, siç ishte në kohën tuaj, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Stojanovski pyeti se sa do të jetë shtrenjtimi i rrymës nga 1 korriku kur paralajmërohet që të kthehet tarifa e lirë ditore, por me TVSH të rritur prej 8%. Kovaçevski iu përgjigj se nuk do të ketë rritje të çmimit por ballafaqim të suksesshëm me krizën energjetike.