Koreja Veriore akuzon Bidenin për politikë armiqësore

TË FUNDIT

Koreja Veriore ka kritikuar administratën e presidentit amerikan Joe Biden, e cila po përgatitet që të prezantojë strategjinë ndaj Phenjanit dhe programit të tij bërthamor.

Ministria e Jashtme verikoreane ka thënë se komentet e fundit të Uashingonit kanë treguar se presidenti Biden synon të zbatojë “politika armiqësore” ndaj këtij shteti.

Më herët gjatë kësaj jave, Biden e ka konsideruar programin bërthamor të Koresë Veriore si “kërcënim serioz” për sigurinë globale.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se planifikon qasje të “kalibruar” ndaj Koresë Veriore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki ka thënë të premten se procesi i rishikimit të politikës amerikane ka përfunduar dhe ka sugjeruar se Biden ka mësuar nga përvojat e administratave të kaluara, të cilat kanë tentuar, por kanë dështuar që ta bëjnë Korenë Veriore të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

“Politika jonë nuk do të fokusohet në arritjen e një marrëveshjeje të madhe dhe as në strategji me bazë durimi”, ka thënë ajo, duke shtuar se SHBA-ja do të krijojë qasje “të kalibruar, e cila është e hapur dhe do të jetë në kërkim të diplomacisë” me Korenë Veriore, ndërkohë që bën “përparim praktik” në rritjen e sigurisë për SHBA-në dhe aleatët e saj./REL