Nën moton “Një zë”, në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, u mbajt konventa promovuese e koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale.
Kandidati për kryetar komune në Çair, njëherë edhe zëvendëskryeministër i parë Izet Mexhiti, u lëvdua për punët që kanë kryer si koalicion. Po ashtu tha se pret fitore edhe në Çair.
“Kemi sjellë ligjin për përfaqësim adekuat, kemi sjellë ligjin për medresenë “Isa Beu”, kemi sjellë ligjin për mbylljen e kazinove, kemi punësuar me mijëra shqiptarë, kemi fuqizuar si asnjëherë më parë shtyllën e marrëveshjes së Ohrit, decentralizimin, prandaj po punohet cep më cep të vendbanimeve shqiptare”, tha Izet Mexhiti, kandidat për kryetar të komunës së Çairit.
Bilall Kasami, kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, tha se në mandatin e dytë do të ketë investime kapitale në këtë komunë.
“Mandati i dytë është mandat në të cilin e qojmë Tetovën drejt standardeve të përhershme, në vend të zgjidhjeve të përkohshme. Na pret punë e madhe dhe investime kapitale me programe konkrete të detajuara me vizion të qartë për një qytet modern digjital”, theksoi Bilall Kasami, kandidat për kryetar të komunës së Tetovës.
Zekirija Ibrahimi tha se i kanë punësuar 2300 shqiptarë dhe 700 janë avancuar, teksa theksoi se ky është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
“Jam shumë krenar që i ndamë 80 milionë euro për zhvillim të komunave shqiptare, që bëmë qindra projekte në komunat shqiptare e që tani e tutje do i ndajmë edhe 240 milion euro tjera për zhvillimin e komunave shqiptare”, u shpreh Zekirja Ibrahimi, kryetar Alternativa.
Fjalime mbajtën edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, shefi i shtabit zgjedhor Adnan Azizi, kandidati për kryetar të Strugës Mendi Qyra, kandidati për kryetar të Kërçovës Fatmir Limani, Bekim Fazliu nga Lëvizja Arbëria, si dhe Hysen Durmishi nga Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë që ishte si i ftuar në konventë.