Konventa e Stevo Pendarovskit, kërkon kontroll të pronës së gjithë politikanëve dhe gjykatësve

TË FUNDIT

Në sallë të stërmbushur në “Boris Trajkovski” mbrëmë u mbajt konventa e kandidatit për President nga radhët e LSDM-së dhe presidentit aktual, Stevo Pendarovski. I prezantuar si kandidat i qytetarëve dhe burrështetas i Maqedonisë europiane, Pendarovski gjatë fjalimit të tij kritikoi opozitën, ndërsa më së shumti foli për procesin eurointegrues. Megjithatë, foli edhe për gabimet e pushtetit të cilat, siç tha, nuk ishin vendime strategjike por në disa politika dhe zgjidhje kadrovike. Kërkoi që të kontrollohet prona e të gjithë politikanëve dhe gjykatësve.

“Dështimi jonë më i madh ishte që u ndalëm në gjysmë të rrugës në realizimin e sloganit kyç të revolucionit të vetëm autentik civil në historinë tonë. “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”. Në këtë aspekt nuk mund ta kthejmë kohën, por është e patjetërsueshme që të marrim detyrim për veting të plotë të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, ndërsa para se gjithash edhe për ne politikanët. Të gjithë që qëllimisht mbajnë lëndë në sirtarë për vite me radhë ose që nuk mund të dëshmojnë se si nga paga kanë fituar miliona, duhet të shkarkohen nga funksioni dhe të shkojnë në burg, e jo të ndajnë drejtësi ose të konkurrojnë për poste politike”, tha Stevo Pendarovski, kandidat për president.

Duke e kërkuar besimin për edhe një mandat, Pendarovski theksoi se këtë e bënë me fytyrë të pastër për shkak se pas vetes nuk ka asnjë aferë.

“Nëse e fitoj besimin tuaj dhe në 5 vitet e ardhshme do të vazhdoj të punoj për pagë e jo për përqindje, do të vazhdoj t’i trajtoj të gjithë njerëzit në mënyrë të njëjtë pa marrë parasysh cilit popull i takojnë ose cilën parti votojnë, do të vazhdoj të bashkëpunoj dhe respektoj të rinjtë suksesi personal i të cilëve nuk është për shkak të lidhjeve partiake apo familjare, do të vazhdoj tu ndihmojë të ofenduarve që të marrin trajtim njerëzor dhe drejtësi në shoqërinë ku jetojnë dhe do të vazhdoj të kritikoj krimin dhe korrupsionin e lartë në vend”, deklaroi Stevo Pendarovski, kandidat për president.

Në konventë fjalim mbajti edhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski i cili u bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin Pendarovskin. Tha se mbështetje më të madhe për vendimet që duhej sjellë për integrimet europiane ka marrë pikërisht nga ai.

“Ai beson në Maqedoninë progresive, nuk heq dorë nga e ardhmja europiane. Ne nuk heqim dorë nga e ardhmja europiane. Me Stevon, me ne, me mua, në vitin 2028 Maqedonia do të përfundojë negociatat me BE-në dhe të gjithë ju do të jeni krenarë që keni qenë pjesë e rrugës së Maqedonisë drejtë shtetit europian më të drejtë, më të pasur, më demokratik”, pohoi Dimitar kKovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Në konventë Pendarovski erdhi me bashkëshorten e cila gjithashtu mbajti fjalim, si dhe me djalin e tij, ndërsa mbështetje i dhanë edhe partnerët e koalicionit të LSDM-së. Përndryshe zyrtarisht fushata për zgjedhje presidenciale fillon nesër, ndërsa Pendarovski do ta fillojë me miting qendrorë në Prilep.