Kontrolle në 57 qendra masazhi në Kosovë, 6 të arrestuar

TË FUNDIT

Policia e Kosovës njofton se gjatë ditës së djeshme dhe sot në bashkëpunim me autoritetet hetuese dhe inspektoratin kanë realizuar kontrolle në qendra të ndryshme të masazheve, pas çka janë mbyllur 14 lokale ndërsa janë arrestuar 6 persona.

“Gjatë realizimit të operacionit janë kontrolluar 57 qendra masazhi. Janë iniciuar dy raste për përfshirje të të dyshuarve në veprat penale “Mundësim apo detyrim në prostitucion” dhe “Ofrim i lokaleve për prostitucion”. Janë arrestuar gjashtë të dyshuar, prej tyre dy janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim të prokurorit. Nga inspektorët kompetentë janë mbyllur 14 lokale dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara. Gjatë realizimit të operacionit policor janë legjitimuar 107 persona (96 femra, dy të mitura dhe 11 meshkuj). Nga personat e legjitimuar, me shtetësi të huaj janë hasur 19 nga Shqipëria, 4 nga Tajlanda dhe 1 nga Rumania”, thuhet në njoftimin e Policisë.