Kontroll i bankave përmes “blerësve të fshehtë”! BP-ja me 4 vendime do të mbrojë përdoruesit e shërbimeve financiare

TË FUNDIT

Informata të sakta, të kuptueshme dhe në kohë në kontratat për kredi dhe depozita, përgjigje të shpejtë dhe efikase ndaj ankesave të konsumatorëve, si dhe kontroll përmes “blerësve të fshehtë”. Banka Popullore me 4 vendime do t’i mbrojë konsumatorët e shërbimeve financiare nga bankat dhe kursimoret. Qëllimi është transparencë më e madhe dhe forcim i sistemit për mbrojtjen e përdoruesve.

“Informacionet duhet të japin udhëzime të qarta në lidhje me përfitimet bazë, rreziqet dhe kushtet për përdorimin e produktit ose shërbimit, duke përfshirë edhe kostot e lidhura me produktet dhe shërbimet financiare. Vendosen standarde për qasje të drejtë ndaj konsumatorëve, si dhe ndalim të praktikave të padrejta, mashtruese dhe agresive të biznesit. Përcaktohen rreziqet bazë të mundshme që duhet t’u shpjegohen qartë konsumatorëve para lidhjes së kontratës”, thonë nga Banka Popullore e RMV-së.

Me dy vendimet e tjera, bankat detyrohen për përgjigje të shpejtë dhe efikase ndaj ankesave të konsumatorëve, dhe forcohen kontrollet e bankës qendrore përmes “blerjes së fshehtë”.

“Rregullohet mënyra e paraqitjes, pranimit dhe shqyrtimit të ankesave në banka, si dhe detyrimi për respektimin e afateve për përgjigje ndaj ankesave dhe formimin e një njësie të veçantë organizative ose caktimin e një personi përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorëve në banka dhe kursimore. Përveç kontrolleve në terren dhe jashtë terrenit, parashikohen edhe kontrolle horizontale mbi një temë të caktuar te të gjitha bankat dhe kursimoret, si dhe kontroll përmes “blerjes së fshehtë” sipas shembullit të praktikave të avancuara evropiane”, shtojnë thonë nga Banka Popullore e RMV-së.

Nga Organizata e Konsumatorëve përshëndesin vendimet e Bankës Popullore. Thonë se si organizatë këtë e kanë kërkuar edhe deri tani.

“Informacionet që do t’i japin vetë referentët e kredive, të cilët pra do t’u ofrojnë kreditet konsumatorëve, do të duhet të jenë më të qarta dhe më transparente, pra t’u thuhet saktë konsumatorëve kur do të marrin kredinë se cilat janë pasojat, çfarë do të thotë kjo, sa është interesi, sa janë kostot, sa do t’u zbritet”, tha Tatjana Tasevska, OKM.             

Nga OKM theksojnë se vendimet vlejnë vetëm për bankat dhe kursimoret, jo edhe për shoqëritë financiare, rregullatori i të cilave është Ministria e Financave. Thonë se nuk ka ankesa masive për bankat dhe kryesisht janë individuale, ndryshe nga numri i ankesave që marrin për shoqëritë financiare.

“Qoftë që ka të bëjë me pamundësinë për të tërhequr para diku kur është jashtë vendit, ose nuk e di, disa bllokime të kartelave e kështu me radhë, marrje, procedurë më e ngadaltë për marrje të kredisë – ka baza të ndryshme, por duhet të theksojmë që janë më të rralla në krahasim me ankesat që lidhen me shoqëritë financiare, ku sigurisht nevojitet më shumë rregullim dhe më shumë kontroll nga rregullatori”, shtoi Tatjana Tasevska, OKM.

Nga Banka Popullore thonë se me këto katër vendime, vendosin rregulla dhe mekanizma për mbrojtje më të mirë të të drejtave dhe interesave të konsumatorëve.