Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Arben Taravarit nga posti i ministrit të Shëndetësisë, si dhe dorëheqjet e dy zëvendësministrave nga radhët e tij – Flakron Bexheti në Ministrinë e Bujqësisë dhe Elfet Ismaili në Mbrojtje. Edhe pse kishin mundësi të arsyetonin dorëheqjet e tyre, ata nuk kërkuan ta bëjnë këtë.
Me largimin e Aleancës për Shqiptarët të Taravarit, grupi parlamentar i VLEN tani numëron 9 anëtarë, por për shkak të dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmani, i cili ishte nga radhët e Taravarit, deputetja e ardhshme do të jetë Valbona Adili Emini nga Lëvizja Besa. Me këtë, numri i deputetëve të Taravarit ulet në 4 dhe tashmë nuk kanë mundësi të formojnë grup parlamentar, ndërsa grupi parlamentar i VLEN u rrit, me çka tani numëron 10 deputetë. Koordinatori, Bekim Qoku tha se pret që ky numër të rritet edhe më tej dhe u bëri thirrje edhe ish-kolegëve nga Aleanca që t’i bashkohen.
Qoku nuk tregoi me cilët deputetë do të negociojnë për të kaluar në radhët e tyre dhe nëse tashmë kanë pasur kontakt edhe me deputetët e ASH-së.
Edhe pse pohohej se me largimin e deputetëve të Taravarit do të cenohet shumica e badenterit, Qoku thotë se nuk është ashtu për shkak se në shumicë janë të përfshirë edhe deputet nga përkatësi etnike të tjera siç janë serb, turq, rom, vlleh dhe kështu me radhë që janë edhe në radhët e VMRO-DPMNE-së edhe të LSDM-së.
