Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në seancën e sotme mes tjerash konstatoi edhe dorëheqjet e dy deputetëve, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE-ja dhe Pavle Bogoevski nga shumica parlamentare. Nga LSDM-ja thonë se kanë pranuar që të konstatohet dorëheqja që e ka parashtruar Gruevski që ai të mos mundet më të marrë pagë deputeti. Megjithatë Gruevski do të ketë të drejtë për apanazh për shkak se një gjë e tillë i takon sipas Rregullores kur jep dorëheqje, ndërsa nuk i takon nëse i merret mandati. Bogoevski tha se tani për tani ende nuk ka vendosur nëse do të shfrytëzojë të drejtën për apanazh. Gjatë arsyetimit, Bogoevski tha se me dorëheqjen e tij i tregon vlerat dhe parimet e Revolucionit të larmë. Ai gjithashtu foli edhe për dorëheqjen e Gruevski për të cilin tha se ai tani është vetëm një i arratisur nga drejtësia.
“Thirrja ime ishte për ju kolegë dhe kolege nga opozita që të veproni në përputhje me ndërgjegjen tuaj dhe të votoni për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit. Si shumicë e përgjegjshme parlamentare nuk do të lejojmë që i arratisuri Nikolla Gruevski edhe gjashtë muaj të marë pagë nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe paratë tona t’i shpenzojë në hotele dhe darka të shtrenjta si dhe gostitje nëpër anije në Dunab”, tha Pavle Bogoevski.
Pas kësaj reagoi koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili tha se Komiteti ekzekutiv i partisë paraprakisht kishte sjellë vendim edhe pse në Komisionin për çështje mandati dhe imuniteti, nuk votuan për marrjen e mandatit të Gruevskit.
“Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së ishte i qartë në kumtesën deri te opinioni se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të veprojnë në bazë të së drejtës dhe drejtësisë, sipas ligjeve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit”, u shpreh koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Atij iu përgjigj koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, i cili në mënyrë ironike tha se deklarata e tillë është e paqartë për shkak se theksoi se nuk e din a mund të sjell vendim të mos veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve.
“Interpretimi tuaj të Kushtetutës dhe ligjeve e thoni në Komisionin për çështje mandati dhe imuniteti, se Kushtetuta nuk është shkelur, ligji nuk është shkelur për shkak se të arratisurit, Nikolla Gruevskit, nuk i është lejuar që të arsyetojë mos prezencën e tij. Do me thënë sipas logjikës suaj, Nikolla Gruevski me arsye nuk ka qenë prezent”, theksoi koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Pas konstatimit të dorëheqjes, me Bogoevskin u përshëndetën kolegët e tij nga shumica parlamentare, ndërsa deputetët e opozitës dolën nga salla. Përndryshe, në vendin e Bogoevskit si deputet, do të vijë Aleksandër Filipovski i cili është në radhë në listën e njësisë së parë zgjedhore, ndërsa në vendin e Gruevskit do të ulet Gjogji Kamçev, nga Lista e VMRO-DPMNE-së nga njësia e katërt zgjedhore. Raporti për dorëheqjen e deputetëve do të dërgohet në KSHZ, ku në seancë duhet të konstatohen dorëheqjet dhe t’i propozojnë Filipovskin dhe Kamçevin për deputet të rinj.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
