Piktura e artistit të madh spanjoll, Pablo Picasso, e cila vlerësohet me çmimi prej 25 milionë eurosh, është konfiskuar në një anije në ishullin francez Korsikë.
Autoritetet doganore të Francës të martën kanë njoftuar se aksionin e kanë ndërmarrë katër ditë më parë. Sipas njoftimit që citohet nga mediat ndërkombëtare, bëhet fjalë për një tentativë që piktura të kontrabandohej për në Zvicër. Vepra është konfiskuar për faktin se në dokumentacionin e saj shkruhej se ajo “është trashëgimi kombëtare e Spanjës, e cila nuk guxon të nxirret jashtë vendi”.
Piktura “Head of a Young Woman” (Koka e një vajze) e vitit 1906, është pronë e bankierit spanjoll, Jaim Botin, por në dokumentacionin për transportimin e pikturës nuk theksohet kërkesa e tij që ajo të dërgohej për në Zvicër. Spanja e konsideron këtë vepër trashëgimi kulturore që s’mund të nxirret jashtë vendit edhe pse ajo është pronë private. Autoritetet franceze presin kërkesën zyrtare të Spanjës për ta tërhequr veprën e Picassos.
Pablo Picasso (1881-1973) ishte artist i shumanshëm dhe njëri prej piktorëve, skulptorëve e grafistëve më të njohur të shekullit XX. Bashkë me Georges Braque, ishtë njëri prej themeluesve të lëvizjes artistike të njohur si kubizëm. Ishte njëri prej artistëve më frytdhënës të kohës së tij. Sipas librit të rekordeve “Guinness”, ka realizuar 13 mijë e 500 piktura, 100 mijë grafika, 34 mijë ilustrime për libra dhe 500 skulptura. Vlera e krejt krijimtarisë së tij, në vitin 1973 u llogarit me 750 milionë dollarë.
