Konfirmon BE: Dialogu Kosovë-Serbi më 25 gushti

TË FUNDIT

Me 25 gusht do të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet Prishtinës e Beogradit ku do të përfaqësohen nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe ai i Serbisë Aleksandar Vucic me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, thuhet në një njoftim për media nga BE.

“Në takim, dy palët do të synojnë të finalizojnë zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, për Telekomin, për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe atë për lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftim.

Takimi i fundit mes dy palëve është mbajtur në qershor, kur u diskutua për të njëjtat çështje, por pa u arritur në ndonjë marrëveshje konkrete.

Mediat serbe kanë raportuar këto ditë se rundi i ri në Bruksel është një shans i ri për marrëveshje të palës serbe e shqiptare, ndërsa pika më e madhe kontestuese është Asociacioni i Komunave serbe dhe kompetencat e tyre.

Beogradi insiston, për kompetenca ekzekutive të cilat janë paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, ndërsa një gjë e tillë sipas tyre, nuk pranohet nga pala kosovare.