Konfirmohet besimi i Qeverisë! 62 vota “për” dhe asnjë “kundër”

TË FUNDIT

“Për votëbesimin e Qeverisë votuan 62 deputet…kush është kundër…kundër nuk ka asnjë votë. Kush është i përmbajtur! Nuk ka. Gjithsej votuan 62 deputet për propozimin e Qeverisë dhe u votua votëbesimi i Qeverisë për të cilin u deklaruan 62 deputet, kundër dhe të përmbajtur nuk ka. Konstatoj se Kuvendi e votoi votëbesimin e Qeverisë së RMV”.

Në mungesë të opozitës, deputetët e pushtetit me 62 vota PËR dhe asnjë kundër e konfirmuan votëbesimin e Qeverisë. Propozimi për votimin e votëbesimit përnjëherë dhe për befasi të opinionit erdhi drejtpërdrejtë nga kryeministri Zoran Zaev. Tha se propozimin e tillë e parashtron që të shohë se sa janë të sakta pohimet e opozitës për rrënimin e pushtetit dhe formimin e shumicës së re. Stabiliteti jonë nuk sigurohet me kambialet e Gruevskit pohon ai.

 “Gjashtë muaj opozita thotë se do ta rrënojë këtë Qeveri, do të bie se nuk ka votëbesim. Tre-katër muaj paralajmëruan mocion besimi të Qeverisë, procedurë për mocion besimi të Qeverisë, votim i mocion besimit të Qeverisë, që sot të mos jenë as prezent kur unë e hapi këtë çështje për votëbesimin e Qeverisë. Ja, kjo është çështje guximi dhe përgjegjësie. Në emër të së vërtetës unë e marr përgjegjësinë dhe obligimin para qytetarëve, siç thashë. Në përputhje me Nenin 93 paragrafi 1 të Kushtetutës dhe në përputhje me Nenin 217 paragrafi 2 nga Rregullorja për punë e Kuvendit, kërkoj prononcim të Kuvendit të Maqedonisë për votëbesimin e Qeverisë”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Paraprakisht, në paralajmërimet për votëbesim, koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski e përshëndeti vendimin për rishqyrtim të besimit të qeverisë por nuk u pajtua me faktin se në lidhje me këtë nuk zhvillohet debat.

 “Ju lumtë për mundësinë që ta vendosni shumicën parlamentare në kontroll dhe në test, por “Ua” për zgjedhjen e nenit 217 paragraf 2 për mënyrën në të cilën po e bëni këtë gjë. Nuk kishit forcë dhe guxim që ta vendosni sipas nenit 214 paragraf 3 dhe të lejoni që tri ditë të debatohet këtu dhe t’i tregojmë të gjitha anomalitë e kësaj qeverie”, tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Edhe nga opozita shqiptare pajtohen se duhet të ketë debat për votëbesimi të qeverisë.

 “Pika për votëbesimin e qeverisë është diçka që është jashtë mundësive reale që opozita të japë vlerësimin e saj mbi Qeverinë, të ketë mundësi të reagojë në lidhje me vërejtjet për këtë qeveri, të nxjerrë në pah një të vërtetë të madhe dhe partitë politike të prononcohen për punën e qeverisë”, u shpreh Skender Rexhepi nga ASH-AAA.

Kjo është hera e parë që një kryeministër i Qeverisë të japë propozim për rishqyrtim të votëbesimit të qeverisë. Zaev u thirr në nenin 217 paragraf 2 nga Rregullorja ku thuhet se kur çështjen për votëbesimin e qeverisë e vendos kryetari i qeverisë gojarisht në mbledhje në Kuvend, Kuvendi voton për besimin e Qeverisë në të njëjtën mbledhje, pa debat.