Konferenca ndërkombëtare për baladën sivjet “zbarkon” në Prishtinë

TË FUNDIT

Në Këshillin organizues të konferencës së sivjetme, krahas anëtarëve ndërkombëtarë, janë edhe katër anëtarët e rinj nga Kosova, respektivisht studiuesit nga Instituti Albanologjik: Arbnora Dushi, Leontina Gega – Musa, Lumnije Kadriu dhe Visar Munishi, të cilët njëkohësisht përbëjnë edhe pjesën lokale të këtij Këshilli
Sarandë Selimi

Prej 31 gusht e deri më 4 shtator të këtij viti, Komisioni Ndërkombëtar i Baladës, konferencën e radhës do ta realizojë në lokalet e Institutit Albanologjik në Prishtinë. Tema bosht e konferencës së sivjetme do të jetë “Botët paralele në balada dhe këngë popullore” (Parallell Worlds in Ballad and Folk Song), e cila do të trajtohet nga 26 studiues ndërkombëtarë dhe disa vendorë, të cilët tashmë e konfirmuar pjesëmarrjen me kumtesa shkencore. “Konferenca do të zhvillohet e tëra në gjuhën angleze dhe përveç aktiviteteve shkencore do të ketë edhe pak disa aktivitete kulturore, ku pjesëmarrësit do të kenë rast të njoftohen me traditat e vendi”, bëhet e ditur nga organizatorët.

Mësohet se sipas traditës së organizimit të kësaj konference, është praktikë që kryetari i qytetit ku mbahet konferenca të organizojë një mbrëmje mikpritëse për studiuesit mysafirë. “Këtë traditë ka premtuar se do ta vazhdojë edhe kryetari i qytetit të Prishtinës”, thuhet më tej në lidhje me organizimin e kësaj konference.

Me pjesëmarrjen e studiuesve të folklorit nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në dy konferencat e fundit ndërkombëtare të baladës, në Turqi (2012) dhe në Hungari (2014), respektivisht me pranimin e tyre si anëtarë të rinj në Komisionin ndërkombëtar të baladës, i erdhi radha edhe Kosovës të jetë vend nikoqir i kësaj konference. Kështu, ideja e filluar më 2012 dhe e konkretizuar më 2014, po merr formë sivjet. Në Këshillin organizues të konferencës së sivjetme, krahas anëtarëve ndërkombëtarë, janë edhe katër anëtarët e rinj nga Kosova, respektivisht studiuesit nga Instituti Albanologjik: Arbnora Dushi, Leontina Gega – Musa, Lumnije Kadriu dhe Visar Munishi, të cilët njëkohësisht përbëjnë edhe pjesën lokale të këtij Këshilli.

E veçanta e këtyre takimeve është se në secilin vit konferenca organizohet në vende të ndryshme të botës, duke i ardhur radha, në këtë mënyrë, secilit anëtar të Komisionit të bëhet nikoqir në vendin prej nga vjen. Ndërrimit i vendit për çdo vit bëhet me qëllim njohjeje me veçoritë kulturore, por edhe akademike, të vendeve dhe popujve të ndryshëm.

Deri më tani kjo konferencë, e filluar në Gjermani, është mbajtur në Çeki, Norvegji, Francë, Slloveni, Finlandë, Holandë, Danimarkë, Hungari, Skoci, Greqi, Belgjikë, Angli, Itali, Irlandë, Kroaci, Kanada, Suedi, Islandë, SHBA, Rumani, Letoni, Ukrainë, Bjellorusi, Portugali, Turqi, Afrikë të Jugut, Hungari, duke arritur të organizohet nga edhe dy herë në disa prej këtyre shteteve.