Fatma Osmanovska, kryetare e Unionit të Romëve, partia e cila javën e kaluar iu bashkëngjit Fronit Europian të udhëhequr nga BDI, mendon se me vendimin e këtillë, përfaqësimi i komunitetit rom do të rritet në pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv. Ajo në edicionin e sotëm të Daily Click në TV21 tha se këtë vendim e sollën për shkak të përvojës së deritanishme pozitive.
“Është koha që të tregojmë se jemi të gatshëm, të pjekur si komunitet, kemi kuadro të mjaftueshme të profesionistëve, kuadro të përforcuar politikisht që mund t’i përfaqësojë interesat e romëve. Kemi përvojë pozitive me këtë koalicion në nivel lokal që na tregon se të njëjtën mund ta pasqyrojmë si koalicion edhe në nivel nacional, është më mirë që ky koalicion është edhe më i gjerë në nivel nacional”, tha Fatma Osmanovska.
Kritika për shpërndarjen dhe angazhimin e komuniteteve më të vogla kishte Enes Ibrahim nga Lëvizja e turqve. Sipas tij, partitë më të vogla luftojnë për vetëm disa kolltukë, ndërsa partitë me të cilat hyjnë në koalicion i marrin parasysh vetëm për në zgjedhje.
“Në pjesën e koalicionit, fatkeqësisht, partitë më të mëdha politike, i marrin parasysh partitë më të vogla para zgjedhjeve për t’i shfrytëzuar maksimalisht. Mendoj se partitë e komuniteteve më të vogla etnike nuk kanë as parime të veta. Luftën e kanë vetëm për 2-3 kolltukë ndërsa kjo nuk u sjell asgjë të mirë komuniteteve”, u shpreh Enes Ibrahim
Për perspektivën europiane të vendit foli edhe Xhelal Hoxhiq nga Partia për Aksion Demokratik të boshnjakëve. Sipas tij, nëse na merret kjo perspektivë do të bëhemi si Bjellorusi.
“Nëse i merret shtetit kjo perspektivë europiane, ne nuk shohim asnjë sinjal pozitiv dhe të them sinqerisht se ambienti ku do të vazhdojmë të punojmë, secili në profesionin e tij, e pastaj duke menduar për të ardhmen e gjeneratave të reja, a mendoni se do të sjellë ndonjë perspektivë të mirë pa perspektivën europiane? A mendoni se pa perspektivën europiane Maqedoninë mund ta bëjmë vend më të mirë për të jetuar? Absolutisht se jo”, deklaroi Xhelal Hoxhiq
Tre bashkëbiseduesit ranë dakord se pas zgjedhjeve duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që vendi ta vazhdojë rrugën europiane.
