Komunat kërkojnë decentralizim fiskal! Taravari: Në kohë krize vështirë të paguhet tatimi

TË FUNDIT

Maqedonia është vendi më i centralizuar në Evropë por edhe në rajon, prandaj është e vështirë që qytetarët të motivohen për pagesën e tatimit. Kështu tha Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari me rastin e nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim ndërmjet disa komunave të Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, për projektin e krijimit të një partneriteti të ri dhe mundësimit të buxhetit më të mirë komunal. Sipas Taravarit shteti duhet të ketë decentralizim fiskal që më shumë para të kthehen në komuna.

Kaluam situatën e pandemisë Covid-19, tash kriza energjetike mos të flasim për ndodhitë e fundit të luftës Rusi-Ukrainë e gjithë kjo ndikon në rritjen e çmimeve, varfërinë e qytetarëve dhe ato gjithnjë e më pak paguajnë tatim, ndërsa këto janë burimet e vetme financiare të një komune. Me shoqëri dhe shtet të centralizuar është vërtet vështirë të funksionojmë”, tha Arben Taravari, kryetari i komunës së Gostivarit.

Kryetarja e Qyteti të Shkupit Danella Arsovska tha se procesi i decentralizimit fiskal është i nevojshëm që komunat të krijojnë kushte më të mira për qytetarët dhe të forcohet qëndrueshmëria e qeverisjes lokale.

Vazhdimisht jam e përkushtuar për krijimin e institucioneve më efikase dhe efektive në nivel lokal, por duhet theksuar edhe nevoja për zhvillim të vazhdueshëm të politikave të vendosura në nivel kombëtar, për të ndërtuar një bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve të pushtetit kombëtar dhe lokal, si dhe për të forcuar efektivitetin dhe transparencën në punën e komunave”, theksoi Danella Arsovska, kryetarja e Qyteti të Shkupit.

Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni  Kate Marie Bërns tha se SHBA vazhdon t’i mbështes komunat e Maqedonisë në mënyrë që të rrisin kapacitetin dhe menaxhojnë në mënyrë të pavarur resurset për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

“Partneriteti juaj dhe programi jonë është një mundësi për ju qe në mënyrë domethënëse të zvogëlohen kërcënimet për korrupsion për të krijuar dhe përforcuar sisteme përgjegjëse llogaridhënëse të cilat ofrojnë shërbime komunale cilësore”, deklaroi Kate Marie Byrnes, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni.

Ajo shtoi se buxheti transparent i llogaridhënies do të ndikojë edhe në tërheqjen e investimeve nga investitorët privat. Zevdnësministri për Vetëqeverisje Lokale Zoran Dimitrovski shtoi se kanë kërkuar që të përmirësohet transparenca e  llogaridhënies së  komunave.

“Decentralizimi i shtetit do të thotë decentralizim i përgjegjësive. Detyra jonë është se Qeveria nuk duhet që në vazhdimësi jetë një lloj donatori apo të mbulojë borxhet komunale dhe paratë në buxhetin qendrorë gjithashtu  janë para të qytetarëve”, theksoi Zoran Dimitrovski, ministri për Vetëqeverisje Lokale.

Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se për përmirësimin e kapacitetit financiar të komunave dhe shërbime më të mira për qytetarët  ata po punojnë në reformën gjithëpërfshirëse të përparimit të decentralizimit fiskal.