Komuna s’mund ta ndalojë, MPB nuk jep pëlqim! A do të ndërtohet garazh me kate afër Kuvendit?

TË FUNDIT

Kështu duhet të duket garazhi me kate afër Kuvendit. Hapësira është rrethuar dy muaj më parë, por ende nuk ka asnjë aktivitet ndërtimor. Prona është private, dhe siç shihet nga tabela e vendosur, kompani investitore është ANGO SHPKNJ Shkup.

Ishte planifikuar vite më parë, por nuk u ndërtua. Para së gjithash për shkak të barrierave administrative. Duke pasur parasysh se ndodhet pranë shtëpisë ligjvënëse, kërkohet pajtueshmëri nga shërbimet kompetente për çështje të sigurisë. Për momentin nuk ka pëlqim të tillë nga MPB-ja, pasi konsiderohet se ndërtimi i një objekti të tillë paraqet rrezik sigurie për Kuvendin. Nga MPB thonë se duke qenë se Kuvendi është i një rëndësie jetike, nuk mund të japin mendim pozitiv për ndërtimin e një garazhi shumëkatësh dhe besojnë se do të cenohet siguria gjatë funksionimit të përditshëm.

Siç njofton “Samo Prashaj”, platforma online e Institutit për Studime të Komunikimit, Pançe Toshkovski si ministër nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e raportit të MPB-së për këtë çështje. Arsyeja është se Toshkovski, i cili me profesion është avokat, para disa vitesh ka përfaqësuar lëndën, përkatësisht kompaninë investitore. Përkatësisht, në vitin 2016, kryetari i atëhershëm i Komunës së Qendrës, Sasha Bogdanoviq, e ka anuluar lejen e ndërtimit, për shkak se kompania nuk ka filluar ndërtimin në afatin e paraparë me ligj. Kompania përmes përfaqësuesit ligjor, avokatit Pançe Toshkovski dy herë ka ngritur padi kundër vendimit të Komunës Qendër dhe aktgjykimin e dëshiruar e ka marrë në vitin 2021, kur Gjykata Administrative ka marrë vendim në favor të tyre.

Nga Komuna gjithashtu theksojnë se presin që zgjidhja e paralajmëruar nga ana e Qeverisë dhe ministrive kompetente të jetë që të mos dëmtohen as qytetarët e komunës Qendër e as buxheti komunal.

Kryeministri Mickoski ditë më parë tha se rasti duhet të zgjidhet në atë mënyrë që asnjë palë të mos dëmtohet. Megjithatë, ai pajtohet se ndërtimi i këtij objekti cenon sigurinë.

Mickoski tha se Kabineti i kryetarit të Kuvendit dhe kompania tashmë kanë pasur kontakte dhe me gjasë javën e ardhshme do të ketë takime ku duhet të fillojë të zgjidhet çështja.

TV21 kërkoi qëndrim nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi se a i është kërkuar nga ndonjë institucion mendim derisa ai është kryeparlamentar për ndërtimin e garazhit shumëkatësh, por nuk kemi marrë përgjigje. Për të njëjtën pyetje nuk kemi marrë përgjigje as nga ish kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.