Nga Komuna e Tetovës në një komunikatë për mediat, thonë se Gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese nuk po i mbrojnë interesat shqiptare, por siç thonë po merren me politikë ditore. Tutje për emërtimet e rrugëve thonë se vendimi i vitit 2007 nuk u bë asnjëherë i plotfuqishëm, pasi katër qeveri të udhëhequra me pjesëmarrjen e BDI-së nuk e miratuan atë në Qeveri, për çka emërtimet nuk u regjistruan në institucionet përkatëse.
Kumtesa e plotë e Komunës së Tetovës.
Gjykatësit shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese, të zgjedhur nga pushteti i kaluar, në vend se ta mbrojnë interesin shqiptar në atë institucion, po merren me politikë ditore.
E vërteta është se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë asnjëherë nuk u bë i plotfuqishëm, për shkak se 4 qeveritë e BDI-së pas vitit 2007 nuk e kaluan si vendim në Qeveri. Prandaj ato nuk figuruan kurrë as në Kadastër e as në Regjistrin Qendror.
Pavarësisht kësaj, gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese nuk duhej të lejonin të hapet kjo procedurë në kohën kur Komuna e Tetovës është pranë finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve në Tetovë.
Tendenca është e qartë: të krijohen tensione ndëretnike. Ndërsa pas kësaj tendence qëndron partia e cila i shpërndanë zyrtarisht deklaratat e një gjykatësi kushtetues.
