Kompanive u është ofruar që tatimi i solidaritetit t’u kthehet pa interes! Qeveria synon të kursejë mbi 10 milionë euro

TË FUNDIT

Pas shfuqizimit të Ligjit për tatimin solidar nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Financave ofroi plan për kthimin e mjeteve që kompanitë i kanë paguar në buxhet. Bëhet fjalë për mbi 49,2 milionë euro që i kanë paguar 156 firma.
Propozimi është që paratë të paguhen në dy këste.

“Pagesa e parë të bëhet në mars 2026, ndërsa e dyta në mars 2027, pa kërkesa shtesë nga ana e obliguesve tatimorë”, thonë nga Ministria e Financave.

Nëse kompanitë heqin dorë nga kamata, llogaritur përafërsisht, kjo do të thotë që shteti të mos paguajë shtesë rreth 15 milionë euro. Në rast se kërkohet kamata, do të zbatohet neni 266-a i Ligjit për marrëdhënie obligative, i cili parasheh kamatë që llogaritet sipas modelit të normës referente të interesit të Bankës Popullore, e cila aktualisht është 5,35 për qind, plus 10 për qind, ose gjithsej 15,35 për qind në nivel vjetor.

LIGJI PËR MARRËDHËNIE OBLIGATIVE
Neni 266-a
(1) Norma e kamatës penale përcaktohet për çdo gjysmëvjetor, dhe ajo është në lartësinë e normës së interesit nga instrumenti bazë i operacioneve të tregut të hapur të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë (norma referente), e cila ka qenë në fuqi ditën e fundit të gjysmëvjetorit që i ka paraprirë gjysmëvjetorit aktual, e rritur për dhjetë pikë përqindje në kontratat tregtare dhe kontratat ndërmjet tregtarëve dhe personave të së drejtës publike, përkatësisht e rritur për tetë pikë përqindje në kontratat ku të paktën njëra palë nuk është tregtar (kamata ligjore penale).

Për kompanitë që nuk do ta pranojnë këtë propozim, është paraparë pagesë në më shumë këste – por jo më shumë se pesë, duke filluar nga marsi i vitit 2026.

“Sipas detyrimit të Qeverisë, nëse personat juridikë nuk janë të kënaqur nga propozimi i dorëzuar për kthimin e parave, të gjendet mënyrë e përshtatshme për kthimin e mjeteve, që do të jetë në më shumë këste (jo më shumë se pesë), duke filluar nga marsi i vitit 2026. Aktualisht kompanitë po dorëzojnë përgjigje në të cilat shprehen për propozimin e dërguar nga Ministria e Financave”, shtojnë nga Ministria e Financave.

Në periudhën e ardhshme përgjigjet do të shqyrtohen, e më pas Ministria do ta informojë Qeverinë për hapat e mëtejshëm. Ndryshe, Ministria e Financave vepron mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të miratuar më 5 shkurt të këtij viti.