Kompania amerikane e naftës „North American Blue Energy Partners“ (NABEP) do të marrë përsipër një pjesë të fushave naftëmbajtëse në Venezuelë, të cilat më parë menaxhoheshin nga kompani kineze dhe një kompani ruse, si pjesë e marrëveshjes së gjerë për prodhimin e naftës që presidenti amerikan Donald Trump njoftoi me Venezuelën.
Kompania ka marrë 14 kontrata të reja nga qeveria venezueliane. Sipas zyrtarëve, pesë prej këtyre projekteve më parë menaxhoheshin nga kompani kineze, ndërsa një tjetër nga një kompani ruse.
Kjo kompani më parë ishte në pronësi të manjatit amerikan të naftës, Harry Sargeant, ndërsa tani kontrollohet nga biznesmeni venezuelian Alejandro Betancourt, i cili konfirmoi marrëveshjen. Kompania do të ketë kontrollin operacional të biznesit, ndërsa qeveria amerikane do të ketë të drejtën për një 35 për qind të aksioneve në kompani, si dhe qasje preferenciale në 20 për qind të prodhimit të saj me çmimin e kostos së prodhimit.
Trump njoftoi javën e kaluar se SHBA-ja, përmes një partneriteti me sektorin privat, ka siguruar qasje në rreth 64 miliardë fuçi të rezervave të provuara të naftës së Venezuelës.
