Pas një periudhe të gjatë është aktivizuar Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit.Anëtarët e këtij komisioni punuan pa praninë e Ministrit të Punëve të Brendshëm Mitko Çavkov. Por, planet e ardhshme të Shërbimeve të Sigurisë i sqaroi para deputetëve, drejtori i kësaj drejtorie, Ljupço Andonovski.
Andonovski theksoi se sipas rekomandimeve të përfaqësesuesit të Bashkimit Evropian, Rajnhard Pribe, janë disa mundësi për reforma në Shërbimet për përgjimin e komunikimeve.“Në lidhje me pajisjet për përgjimin e komunikimeve, për qëllimet e hetimit penal, opsioni i parë është që secili prej institucioneve që kanë autorizim për të përgjuar komunikimet, si Prokuroria Publike, Ministria e Brendshme, Dogana, Policia Financiare, duhet të kenë pajisjet e tyre. Kjo do të kishte një investim mjaft të shtrenjtë duke pasur parasysh territorin dhe numrin e popullsisë”, tha drejtori i DSK Andonovski.
Sipas tij, mundësia e dytë është krijimi i një qendre të posaçme për përgjimin e komunikimeve, ku do të kenë qasje të gjitha organet e autorizuara. Siç tha drejtori i DSK-së, kjo qendër do të ishte në kuadër të Prokurorit Publik, por edhe pajisjet do të duhej të zhvendoseshin në këtë institucion hetimor. Reformat e planifikuara, siç theksoi Andonovski, janë rezultat i mangësive të konstatuara në punën e DSK-së.
Anëtarët e Komisionit për mbikëqyrjen e punës së DSK-së shprehën reagime të ndryshme. Tomislav Tuntev nga LSDM-ja theksoi se prezantimi i Andonovskit ka qenë pa asnjë përmbajtje, sepse nuk është përfshirë asgjë që deri tani është realizuar.“Kemi dëgjuar sot një raport në lidhje me atë që ende duhet të bëhet, për atë që deri më tani duhej të bëhej dhe të zbatohej. Në kolonën e fundit është shkruar se statusi i zbatimit nuk përmban asgjë”, u shpreh Tuntev.
Deputeti i VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski theksoi se duhet të realizohen reformat në DSK dhe jo të bëhen kalkulime politike.“Pyetja është se DSK-ja a po përgjon ende , apo çfarë pune tjetër bën. Interesimi ynë është se këto kapacitete të sigurisë që janë në dispozicion, a janë të përdorura në mënyrë drejtë. Ne në vend që të bëjmë politikë dhe të fitojmë pika politike, duhet të nxisim iniciativë dhe sa më shpejtë të jetë e mundur të vizitojmë DSK-në”, theksoi Milloshoski.
Deputetët e opozitës, mungesën e ministrit Çavkov e interpretuan si ikje nga përballja lidhur me çështjen e përgjimeve të paligjshme. Deputeti Hari Lokvenec, i cili kryesoi komisionin tha se Çavkov dhe qeveria munden të largohen nga seanca dëgjimore e Komisionit, por nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë për përgjim të paligjshëm.
Vesna Jaqimovska
