Paraqitja e tij e fundit në opinionin publik si drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Punës ishte për TV21. Dy ditë më vonë, Alajdin Avziu është shkarkuar nga funksioni. Në vendin e tij është emëruar Jovana Trençovska. E pyetëm Qeverinë, e cila mbrëmë emëroi disa drejtorë dhe zëvendës – nëse shkarkimi i Havziut është rezultat i punës së tij joprofesionale apo bëhet fjalë për marrëveshje politike dhe shpërndarje të njerëzve të partive në ndarjen e kulaçit nga pushteti ekzekutiv?
Por, deri në këtë edicion të lajmeve nuk morëm përgjigje. Koment kërkuam edhe prej tanimë ish-drejtorit të Inspektoratit të Punës, por ai refuzoi të deklarohet rreth shkarkimit të tij.
Reaguan nga Shoqata “Punëtori i Zëshëm i Tekstilit”. Nga atje thonë se janë të befasuar nga lehtësia me të cilën ndryshohen drejtorët, kurse nuk zgjidhen çështjet me prioritet.
“Mendoj se para se të shkarkojnë drejtorë, së pari duhet të shohin nëse në Inspektoratin e Punës, këtë e flasim tashmë 3 vjet, kanë tonerë në zyrat e tyre, nëse inspektorët e punës duhet të japin para të tyre për të shkuar në shtypshkronjat që të shtypin dokumente. Nga viti i ardhshëm, nga 1 janari ne pension dalin rreth 17 inspektorë, ky inspektorat ballafaqohet me mungesë të kuadros”, shprehet Kristina Ampeva nga “Punëtori i zëshëm i tekstilit”.
Ampeva tha se gjatë viteve të kaluara kishin bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Avziun dhe se punët në terren filluan të përmirësoheshin në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, sidomos në kohën e epidemisë me Kovid-19 kur shkeljet nga ana e punëdhënësve janë shumë të shpeshta.
“Unë nuk hyj në punën e drejtorit të ri ose drejtoreshës, çka do të jetë. Unë them se paraprakisht kishte çështje më me prioritet. P.sh. para dy javëve Lupço Nikollovski paralajmëroi se do t’i rrisin kompetencat e inspektorëve në terren në lidhje me masat për mbrojtje nga Kovid, por ne shikojmë se këto dy javë nuk i votojnë këto masat. Pse?”, pyet Ampeva.
Ampeva e përshëndeti vendimin e qeverisë për ndihmë të re financiare të kompanive për pagesë të rrogave për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, megjithatë pyet se si është situata me abuzimin e përkrahjes së mëparshme financiare e cila duhej t’u jepej punëtorëve. Siç tha ajo, 300 kompani aspak nuk kanë paguar rrogë dhe mbi 7 mijë kompani kanë paguar një shumë parash e cila është nën rrogën minimale.
