KOHA KALON DALLIMET MBESIN, PARTITË ENDE PA MARRËVESHJE PËR PPS-në

Statusi i PPS-së por edhe ndalimi i hetimeve të reja janë pikat kryesore për të cilat nuk dakordohen opozita dhe pushteti. Pasi që opozita këtë vikend i parashtroi vërejtjet dhe komentet për ndryshimet e reja, nga Ministria e drejtësisë konstatojnë se përsëri nuk ka progres, dallimet kyçe kanë mbetur dhe se materialet që i kanë marrë nga negociatorët e ekipit tjetër nuk janë në përputhje me rekomandimet evropiane.

“Këtë vikend nga VMRO-DPMNE-ja  dërguan materiale sërish, por dallimet kryesore mbeten edhe më tej. Materialet nuk ishin në pajtim me rekomandimet evropiane për hapjen  e negociatave. Bisedimet do të vazhdojnë” thonë nga Ministria e Drejtësisë.

LSDM thotë se VMRO-DPMNE, përmes amendamenteve të propozuara, kërkon amnisti për zyrtarët e partisë të përfshirë në hetimet e PPS-së.

“Patjetër duhet të cek se kemi kritere të caktuara, gjë që assesi nuk guxon të shkojë në dëm të shtetit ligjor, por përkundrazi, Ligji për Prokurorinë Publike duhet të jetë në funksion të vetë shtetit ligjor. Për fat të keq, nga ajo që mund të dëgjojmë nga ana e ekipeve negociatore, është se opozitarja VMRO-DPMNE qartazi kërkon amnisti për të gjithë kriminelët e pushtetit të kaluar. Ne si parti e përgjegjshme, si politikanë të përgjegjshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk do ta lejojmë këtë”, u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Kostandinov.

Nga VMRO-DPMNE thonë se pa zbatimin e së drejtës dhe drejtësisë vendi nuk mund të shpreson për BE.

“BE-ja dhe euro integrimet janë të pamundshme pa zgjidhje cilësore, pa sistem cilësor të prokurorisë, pa ligj cilësor për Prokurori publike, pa zbatimin e së drejtës dhe drejtësisë në Republikën e Maqedonisë. Shteti jo i drejtë nuk mund të bëhet pjesë dhe nuk mund të fillojë negociatat me BE-në. Edhe këto bisedime janë në këtë drejtim”, tha Naum Stoillkovski, nga VMRO-DPMNE.

Për miratimin e ligjit për prokurori publike është e domosdoshme shumica e dy të tretave, ndërsa ky është njeri nga kushtet e marrjes së datës për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Përgatiti: Zimer Jashari