Partia politike LEVICA reagoi ndaj vendimit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë që të mos marrë pjesë në takimin koordinues të partive opozitare, të cilin Levica e njoftoi se do ta iniciojë me qëllim harmonizimin e një qëndrimi të përbashkët lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nga Levica sulmuan LSDM-në duke e akuzuar se po refuzon koordinimin e opozitës rreth reformës zgjedhore vetëm për interes vetjak.
“Është veçanërisht simptomatike që partia e cila për vite pretendonte se mbështet një njësi të vetme zgjedhore, sot refuzon madje edhe të ulet në tryezë për të biseduar për një reformë të tillë. Nëse ende janë për një njësi të vetme zgjedhore, atëherë çfarë i pengon të marrin pjesë në bisedat? Nëse nuk janë më, le të kenë dinjitetin t’ua thonë këtë anëtarësisë së tyre”, thonë nga Levica.
Edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanoski akuzoi opozitën se nuk dëshiron Kod të ri Zgjedhor, por bllokadë. Ai tha se pas katër muajsh negociata, opozita po kërkon sërish debate ekspertize, shenjë e qartë, sipas tij, se ka marrëveshje mes partive opozitare për të mos pranuar ligjet.
“U negociua me muaj, mbi 4 muaj, dhe pastaj kur duhej të paraqitej ligji, u tërhoqën — gjë që drejtpërdrejt na çon në përfundimin se thjesht opozita nuk ka interes që ky ligj të miratohet dhe të përmbushim “benchmarkun” e fundit që e kemi si kusht nga agjenda reformuese”, tha Bojan Stojanoski – VMRO-DPMNE.
Nga LSDM-ja u përgjigjen duke pyetur: nëse VMRO-DPMNE është kaq e fortë, pse insiston në votim të pakontrolluar të diasporës?
“Këta “patriotë të mëdhenj” me shtetësi bullgare, pasaporta evropiane dhe firma në Bullgari, tani janë të shqetësuar për fatin e tyre. Jo për të ardhmen e Maqedonisë, por për përgjegjësinë e tyre vetjake. Prandaj duan t’i manipulojnë zgjedhjet e ardhshme, për të shtyrë drejtësinë që vjen në mënyrë të pashmangshme. Populli nuk është naiv. Gënjeshtra, manipulime dhe grabitje zgjedhore nuk kalojnë më”, thonë nga LSDM.
Deputetja e BDI-së Arbana Pasholli tha se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim, por theksoi se BDI gjithmonë është për dialog institucional. Qëndrimet e partive shqiptare janë se diaspora duhet të votojë. Ndryshe afati për ndryshimin e kodit zgjedhor sipas agjendës reformuese është deri të mërkurën.
