Koço: Shkarkimi në Këshillin Gjyqësor i paligjshëm/ Këto ngjarje vendosën në “tapet” gjithë sistemin gjyqësor

TË FUNDIT

Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor janë shembull i qartë i  mosrespektimit të ligjit dhe mungesës së normave dhe vlerave morale. Kështu i ka vlerësuar trazirat ish-gjykatësja në Gjykatën supreme Vera Koço pasi në mënyrë shumë të paqartë u tha këto ditë se kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva është shkarkuar. Vlerësime të tilla në  intervistën javore për Radion Evropa e Lirë i ka shprehur ish-gjykatësja Koço, ku thotë se është e papranueshme sjellja e nënkryetarit të Këshillit, Selim Ademi, i cili ka iniciuar shkarkimin.

“Ai thjesht u bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë për shkarkimin e saj. Me çfarë të drejte? Nuk kishte të drejtë të tillë. Për faktin se Ligji për Këshillin Gjyqësor nuk parasheh shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor. Së pari, nuk kishte asnjë dispozitë ligjore në atë kuptim, së dyti vetë seanca ashtu siç u zhvillua ishte krejtësisht e pahijshme dhe përtej të gjitha zgjidhjeve ligjore.”- deklaroi Vera Koço, ish-gjykatëse në GJ. Supreme.

 

Jo zyrtarisht, pretendohet se pasi përgjegjësia për gjykatësin në Gjykatën e Apelit Enver Bexheti do të vihej në rend dite, tashmë ka pasur marrëveshje mes disa anëtarëve që të votohej për shkarkimin e Damevës dhe kështu të shpëtohej Bexheti, i cili e mbajti  në sirtar 9 muaj lëndën Target Fortesa, në të cilën i akuzuar është Sasho Mijalkov. Sipas gjykatëses Koço, rezultati më logjik i asaj seance do të ishte nëse  Bexheti do të shkarkohej.

“Me shumë mundësi, po spekuloj tani, ka qenë çështja nëse do të shqyrtohej apo jo ai raport dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor u ndanë në dy blloqe. Disa ishin për shqyrtimin e atij raporti, të tjerët me shumë gjasa jo. Dhe për ato arsye, seanca u ndërpre dhe kryetarja u shkarkua papritur, gjë që është absurde, që është krejtësisht e paligjshme.”- thotë Vera Koço, ish-gjykatëse në GJ. Supreme.

 

Me reagim doli edhe Lidhja Demokratike, të cilët kanë kërkuar dorëheqje nga i gjithë Këshilli Gjyqësor si dhe kërkojnë që të bëhet rishikim i punës së të gjithë gjykatësve dhe shfuqizimin e amendamentit kushtetues që i përjashton gjykatësit nga përgjegjësia penale.