Pas takimit një orësh në ministri, nuk ka detaje konkrete në lidhje me atë se a do të respektohet afati i cili buron nga Ligji i miratuar para pak kohësh për shoqatat bullgare “Vanço Mihajllov” dhe “Car Boris treti” që duhet të ndryshojnë emrin për shkak të polemikave të personazheve sipas të cilëve janë emëruar. Jozyrtarisht klubi në Ohër, Car Boris, tashmë ka parashtruar dokumentacion për ndryshim të emrit, por klubi “Vanço Mihajllov” në Manastir refuzon që ta ndryshojë emrin dhe paralajmërojnë se për këtë çështje do të adresohen edhe deri te gjykatat ndërkombëtare. Edhe pse Lupço Gorgievski, kryetar i klubit “Vanço Mihajllov”, ishte në takim, nuk pranoi të japë deklaratë, informacionet e tilla i konfirmoi Gjorgji Trendafillov, përfaqësues i komunitetit bullgar në Maqedoni, i cili tha se në takim shumë pak është biseduar për këtë çështje.
“Veçanërisht jo, unë e pashë deklaratën për Deutsche Welle, nga z.Gorgievski, mendoj se ata nuk kanë për qëllim që të tërhiqen në këtë moment dhe kanë ndërmarrë disa aktivitete juridike që i kanë në dispozicion. Do të shohim çfarë do të ndodh më tej”, tha Gjorgji Trendafillov, përfaqësuesi i komunitetit bullgar.
Në kumtesën e shkurtër të MPJ-së vetëm thuhet se takimi ka kaluar në atmosferë pozitive, por nuk është përmendur asgjë për këtë çështje dhe nëse Trendafillov dhe Gorgievski i kanë konfirmuar Osmanit se këto shoqata do të riemërohen.
“Në takimin që kaloi në atmosferë pozitive u shkëmbyen mendime për çështjet që tangojnë komunitetin bullgar në Maqedoninë e Veriut. U shpreh kënaqësi për qasjen e drejtpërdrejtë në shkëmbimin e mendimeve si dhe për nismën për mbajtjen e takimeve në të ardhmen dhe përforcimin e dinamikës së komunikimit, me qëllim të përfshirjes së drejtpërdrejtë të komunitetit dhe shoqatave bullgare që ata i përfaqësojnë në suaza të bashkëpunimit të rregullt të shtetit me sektorin civil”, thonë nga MPJ.
Trendafillov tha se e kanë njoftuar ministrin Osmani për takimin që kanë pasur në Bruksel me euro-komisarin Oliver Varhelji dhe me grupe të Parlamentit europian për të qetësuar tensionet në relacion Shkup – Sofje dhe për të vazhduar zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes. Qëndrimet që kohës së fundit po i përcjell Trandafillov janë se bullgarët në vend janë stigmatizuar, por para pak kohe Këshilli i Europës ka miratuar Rezolutë ku theksohet se nuk ekziston diskriminim i pakicave në Maqedoni.
“Unë ende nuk e kam parë raportin e Këshillit të Evropës. Siç e di nga mediat, bëhet fjalë për atë se nuk ekziston diskriminim sistemor. Është e drejta ime që të mos pajtohem me atë konstatim, por nuk është diçka që duhet të jetë top temë në aktivitetin tonë”, tha Gjorgji Trendafillov, përfaqësuesi i komunitetit bullgar.
Përndryshe, para tre muajve në Kuvend u miratuan ndryshimet e Ligjit për shoqatat, sipas së cilave ndalohet përdorimi i emrave që mbështesin fashizëm, nacizëm, nacional-socializëm dhe rajhun e tretë. Nëse shoqatat nuk e harmonizojnë emrin me dispozitat e reja, Ministri i drejtësisë është i obliguar që të sjell vendim për ndërprerjen e ekzistimit të shoqatës, ndërsa Regjistri qendrorë t’i fshijë.
