Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke njoftuar për hapjen e sallës së sportit në Dobrosh të Tearcës, ka uruar edhe Ditën e Mësuesit – 7 Marsin.
“Ndërtimi i sallave të sportit ka rëndësi të madhe pikërisht për këto gjenerata, andaj sot jam këtu para juve me Artanin, Bujarin, Fatmirin, Jetonin e Arbërin si dhe kryetarin e komunës së Tearcës Isen Aseni, të cilët çojnë projektet përpara, pjesë e të cilës është edhe kjo sallë dhe shumë salla të tjera në mbarë vendin që janë në ndërtim e sipër dhe do të vazhdojnë të ndërtohen. Kjo është urata më e mirë për 7 Marsin për të gjithë pishtarët e arsimit”, shkruan në urimin e tij, Ahmeti, transmeton TV21.
Ahmeti ka dërguar edhe porosi për këtë ditë.
“Të punojmë për ardhmërinë e vendit është amanet i lënë brez pas brezi, e pikërisht atë amanet vazhdojmë të përcjellim dhe tek gjeneratat e reja por me punë të mira. Me këtë rast ju nderojmë juve, nderojmë veten po edhe emrin e të madhit Faik Konica, që e mban shkolla e fshatit Dobrosht”, tha më tej, Ahmeti.
Përndryshe, sot bëhen 134 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë. Kjo datë, 7 marsi tanimë në popullin shqiptar njihet si Dita e Mësuesit, kjo për të shprehur kontributin ndaj tyre, në ngritjen e arsimit dhe edukimit shqiptar./TV21
