Gardh prej betoni është vendosur afër trotuarit në bulevardin “Brigada maqedono-kosovare” në Fushë Tophanë të Shkupit. Muri prej betoni, është vija kufizuese deri ku Universiteti Ballkanik e ka rrethuar parcelën në fjalë dhe ka filluar punimet.
“Hapësira prapa meje më herët ka qenë me park dhe gjelbërim dhe disa shtëpi, ndërsa tani siç e shihni, e tëra është rrafshuar dhe rrethuar me gardh betoni. Kjo është realizuar nga Universiteti Ballkanik në Fushë Tophanë. Megjithatë për atë nëse prona është shtetërore apo private, për atë se çfarë do të ndërtohet, pyetëm edhe komunën e Çairit edhe Universitetin Ballkanik”, raporton Zekirija Haxhiu – gazetar i TV21.
Të pyetur se çfarë planifikojnë të ndërtojnë, a është ajo parcelë në pronësi të Universitetit dhe a kanë marrë leje për ndërtim dhe rrethim me mur betoni, nga Universiteti Ballkanik u përgjigjën kështu:
“Universiteti ynë është pronar i parcelës në fjalë dhe posedon dokumentacionin e plotë. Në atë parcelë përpos zonës së gjelbërt/shëtitore, është paraparë dhe amfiteatër i hapur, parkingje për studentët si dhe kantinë. Natyrisht posedojmë leje nga komuna e Çairit për rrethojën e realizuar. Spekulimet se do të ndërtoheshka ndonjë ndërtim i vrazhdë, s’janë asgjë përpos se thashetheme”, thonë nga Universiteti Ballkanik.
Por a parashihen të gjitha këto ndërtime në planin detal urbanistik dhe a ka marrë leje Universiteti nga Komuna e Çairit?
“Universiteti Ballkanik ka kërkuar dhe i është dhënë leje për rrethim, por nuk është cekur se çfarëlloj rrethimi. Në atë parcelë, sipas planit urbanistik, parashihet të ketë banesë kolektive. Komuna e Çairit nuk mund të ndërmer ndonjë masë derisa në atë zonë nuk ka punime ndërtimore”, theksojnë nga komuna e Çairit.
Pjesa që është rrethuar dhe po përgatitet për punime ndërtimore, ndahet në dy parcela. Pjesa më e madhe, pra parcela e cila në kadastër figuron me numër 4744/2 është në pronësi të Universitetit, por edhe një parcelë tjetër më afër rrugës, numër 4744/1, sipas Kadastrës është në pronësi të shtetit. Përpos parcelës që është rrethuar, edhe pjesa ku tani ndodhet trau, më herët thuhet se ka qenë rrugë publike. Për këtë rrugë, nga komuna e Çairit na thanë të drejtohemi te Qyteti i Shkupit. E nga atje kompetencat i drejtojnë përsëri te komuna e Çairit, përshkak se siç thonë, bëhet fjalë për rrugë dytësore. Si për rrugën ashtu edhe për tokën e rrethuar, kompetent thonë se është komuna e Çairit, thonë nga Qyteti i Shkupit.